“Më bëri be në kry të Albinit që s’ka vjedh” - ja si e arsyeton Hisen Berisha takimin me ambasadorin Martin Berishaj

Aktuale

“Më bëri be në kry të Albinit që s’ka vjedh” - ja si e arsyeton Hisen Berisha takimin me ambasadorin Martin Berishaj

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 08:48
Deputeti Hisen Berisha, është takuar me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Një takim në mes deputetit të PDK-së, Hisen Berisha dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nxiti reagime të shumta. Berisha që dikur ishte rreshtuar kundër, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dje e ka quajtur takimin me të “pritje vëllazërore”.

Deputeti Hisen Berisha ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se afera GEN mbetet e hapur.

“Jo more, kaq lehtë u ndryshojkan qëndrimet?! Kurse takimet ndodhin, edhe ka ndodhur edhe i kam shkua në ngushllime për nanën, e më ka ardhë ngushllime për babën. E kam takua viteve 90 e tutje, kur u krijua këshilli politik për luftë i UÇK. E aty e ka ftua vet Drejtori politik i UÇK. Axha i tij Tom Berisha ka kontribut të veçantë në përgatitjet për luftë e liri. Ky po që bartë titull evropuan si profesor. Po mos u merni me insinuata. Afera GEN mbetet e hapur. Korrupsioni në diplomaci mbetet temë e hapur. Qëndrimet e mia në raport me atë pjesë nuk ndryshojnë aspak“, tha Hiseni.

Deputeti i PDK-së madje tregoi se ambasadori i është betuar me kokë të Albinit se nuk ka vjedh asgjë.

“E meqë u takuam në simpoziumon ndërkombëtar për krimet e komunizmit, e vizitova Ambasadorin dhe Ambasaden e shtetit tim. Unë nuk jam prej Serbie por prej Kosove, jam shqiptar! Edhe fundja, Ambasadori m’bani be n’krye t’Albinit se nuk ka vjedh gja, ndaj shkova e piva një kafe“, ka treguar Berisha.

Berisha edhe pse tha se nuk ka ndryshuar qëndrim në përgjigje e quajti ambasadorin mik dhe kushëri të tij.

“Fundja unë nuk jam taku veç me kushëririn e mikun tim Martin Berisha, por Ambasadorin fuqiplotë të shtetit tim“, përfundoi ai.

Kujtojmë se PDK dhe deputetë nga kjo parti vazhdimisht kanë kritikuar Qeverinë Kurti pas skandalit të ambasadorit Berishaj.

Madje edhe vetë, Berisha kishte shpërndarë një fotografi ku shkruhet “Rritet tatimi pasurohet Martini”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat