Çfarë do të jetë në tryezë, “përballja” Kurti-Vuçiq rikthehet në Bruksel më 26 qershor

Aktuale

Çfarë do të jetë në tryezë, “përballja” Kurti-Vuçiq rikthehet në Bruksel më 26 qershor

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 00:29
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Albin Kurti kthehet në Bruksel përballë Aleksandër Vuçiç. Kryeministri i Kosovës do të takohet me presidentin serb më 26 qershor në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Rikthimi në tryezën e dialogut në nivel liderësh bëhet pas një mungese 9 mujore, me takimin e fundit të mbajtur më 14 shtator, 10 ditë përpara sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Kosovës.

Zëdhënësi Stano konfirmon se Kurti dhe Vuçiç do të bisedojnë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të Unionit për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

Duket se ka qenë vizita e këtij të fundit në Prishtinë dhe Beograd që ka përcaktuar dhe detajet e fundit dhe gatishmërinë e palëve për të shkuar në Bruksel. Megjithatë agjenda me temat që do të diskutohen nuk janë bërë të ditura.

Pritet që ndër çështjet kryesore të jetë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, me fokus të veçantë në gjetjen e pajtimit për një rrugë drejt zbatimit të saj.

Por zyrtarët serbë, përfshirë presidentin Vuçiç, kanë sinjalizuar shpesh se kanë ndërmend të pengojnë bisedimet me ngritjen e çështjeve si ajo e dinarit, asociacionit dhe pretendimin tashmë të zakonshëm se qeveria e Kosovës po pamundëson jetën e serbëve në veri.

A2 CNN ka bërë shpesh vëzhgime në terren në zona të ndryshme që banohen kryesisht nga serbët e Kosovës dhe nuk ka vërejtur situatë të tensionuar, apo probleme të theksuara në sigurinë apo mbijetesën e tyre. Madje po mësohen me përdorimin e euros si monedhë zyrtare, ndërsa policia konfirmoi se serbët po bashkëpunojnë më shumë me efektivët, se sa në kohën kur shumica e policëve ishin nga komuniteti serb. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat