Minatori në Minierën e “Trepçës”: Jemi në grevë vetëm për pagë, s’punojmë deri në ekzekutimin e tyre

Aktuale

Minatori në Minierën e “Trepçës”: Jemi në grevë vetëm për pagë, s’punojmë deri në ekzekutimin e tyre

Më: 20 qershor 2024 Në ora: 19:18
Gani Osmani

Minatori në Minierën e “Trepçës”, Gani Osmani, thotë se arsyeja e vetme pse minatorët kanë hyrë në grevë është paga.

Osmani ka bërë të ditur se jo vetëm një pjesë, por të gjithë minatorët janë në grevë, derisa të marrin pagën në fillim të muajit dhe atë të plotë.

“Jo, një pjesë, por të gjithë minatorët e minierës së ‘Trepçës’ në Stantërg nuk janë duke punuar prej datës 14 qershor. Minatorët nuk i kanë marrë pagat deri më datë 14 edhe atë jo të plotë. Pra jo me datë deri më 10, por më 14. Ata kanë thënë se nuk do të punojnë më derisa t’iu dalin pagat. Minatorët vijnë çdo ditë në punë, me orar ama nuk punojnë. Arsyeja është vetëm paga. D.m.th, gjëja më elementare dhe e drejta që nuk bën t’i mohohet është paga”, tha ai.

Minatori tha se ata nuk e kanë marrë pagën e muajit maj të plotë, por vetëm 68 për qind.

“Veç në ‘Trepçën’ e Kosovës, askund tjetër në botë s’ka me të thënë drejtori hajde puno pa pagë. Këtu minatorë kërkojnë paramendo rrogën, le më përmirësimin e kushteve të punës. Kjo grevë po iu imponohet prej pakënaqësive të mëdha. Ne ende nuk e kemi marrë rrogën e majit, e kemi marrë vetëm 68%”, tha ai.

Ndërkohë, sipas njoftimit të menaxhmentit të “Trepçës” veprimet e tyre nuk ishin të paralajmëruar dhe se për këtë veprim të tyre thuhet se Sindikata e Minatorëve të Trepçës nuk e ka marrë përsipër organizimin.

“Si asnjëherë më parë, Sindikata e Minatorëve të Trepçës nuk e ka marrë përsipër organizimin, nuk ka Këshill Grevist e as grup të punëtorëve të cilët e marrin përgjegjësinë për mospunë-bojkot.Komunikimet e menaxhmentit me stafin dhe me personelin në nivele të ndryshme janë realizuar në baza ditore. Takimi i fundit u realizua sot në orët e mëngjesit. Punëtorët janë informuar se ditët e humbura nuk do të kompensohen dhe kjo është humbje edhe për menaxhmentin edhe për punëtorët”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat