Vrasja me thikë në Fushë-Kosovë, Supremja e kthen në rigjykim çështjen për të dënuarin me 22 vite burgim

Aktuale

Vrasja me thikë në Fushë-Kosovë, Supremja e kthen në rigjykim çështjen për të dënuarin me 22 vite burgim

Më: 20 qershor 2024 Në ora: 13:40
Foto ilustrim

Gjykata Supreme e Kosovës, përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Musliu se në bashkëkryerje me Labionot Bajramin e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin A.H. më 2023 në Fushë-Kosovë. Bajrami nuk e kishte pranuar fajësinë dhe ndaj tij ishte veçuar procedura. Gjithashtu, Musliu akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 tetor 2023 e kishte dënuar Musliun me 22 vite burgim për veprën penale vrasje në bashkëkryerje dhe për armëmbajtje pa leje. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.

Kurse, kundër këtyre aktgjykimeve, avokati i Musliut, Taulant Broqi kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe shkeljes së Ligjit Penal, duke propozuar që këto aktgjykime të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa e avokatit Broqi është e bazuar, duke theksuar se duhet të shqyrtohet nëse në këtë rast janë plotësuar të gjitha kushtet për veçimin e procedurës dhe për miratimin e pranimit të fajësisë.

Mes tjerash, në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se pranimi i fajësisë nga ana e të dënuarit Musliu nuk është bërë në harmoni me dispozitat përkatëse të procedurës penale, duke pasur parasysh se ai ishte akuzuar se ka kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër Labinot Bajrami.

“Andaj, në një situatë të tillë dhe duke i pasur parasysh edhe specifikat konkrete të këtij rasti, ndërlidhjen e veprimeve kryerëse të të pandehurve dhe rrethanat tjera të rastit, gjykata e shkallës së parë është dashur që me një përkushtim maksimal profesional të vlerëson nëse në këtë rast janë përmbushur kushtet ligjore për miratimin e pranimit të fajësisë nga ana e tani të dëmtuarit Atdhe Musliu”, thuhet tutje në këtë vendim.

Ndërsa, thuhet se është dashur të shqyrtohet me një përkushtim profesional maksimal edhe nëse në këtë rast janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore edhe për veçimin e procedurës penale.

“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet që ta caktojë edhe një herë shqyrtimin fillestar dhe t’i evitojë shkeljet e lartcekura, ndërsa më pastaj të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm, ashtu siç është parashikuar me dispozitat përkatëse ligjore”, thuhet në fund të këtij vendimi.

Kurse, në seancën fillestare të rigjykimit më 14 qershor 2024, i akuzuari Musliu është deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Ndryshe, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura gjyqësore ngase i njëjti në seancën fillestare të datës 5 shtator të këtij viti kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H, i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

Me këtë, Musliu akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat