Ish-ministri Agani: Miratimi i Projektligjit për Sigurime shëndetësore paraqet improvizim të rëndë politik

Aktuale

Ish-ministri Agani: Miratimi i Projektligjit për Sigurime shëndetësore paraqet improvizim të rëndë politik

Më: 20 qershor 2024 Në ora: 08:24
Ferid Agani

Ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri për Sigurime Shëndetësore, pasi që, sipas tij, një Ligj është në fuqi që dhjetë vite, por që nuk është zbatuar.

“Ky ligj është në fuqi prej 2014-tes, është dokument cilësor ligjor i cili ka pas mbështetje të plotë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe është draftuar në bashkëpunim me ta. Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri në këtë lëmi në situatën kur ligji në fuqi, qe dhjetë vite prej kur është miratua, asnjëherë nuk është tentua të zbatohet’’.

Agani thotë se miratimi i Projektligjit në këtë kohë, paraqet improvizim të rëndë politik dhe do të krijonte edhe më shumë huti.

‘’Miratimi i këtij projektligji në situatën e mungesës së plotë të vizionit reformues, paraqet improvizim të rëndë politik që do të krijon edhe më shumë huti në sektorin e shëndetësisë’’, potencon ai.

Ish-ministri i shëndetësisë, tha se vendi ka nevojë për vendosmëri të zbatimit të ligjit aktual e jo për improvizime politike.

 ‘’Vendi ka pas nevojë për vendosmëri në zbatimin e ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore dhe jo për improvizime politike e ligjore sa për të krijuar përshtypjen se po bëjmë diçka të re’’, deklaron Agani.

Agani thekson se ky projektligj nuk do i sjellë asgjë të mirë qytetarëve, pasi që sipas tij, nuk është pjesë e pakos gjithëpërfshirëse reformuese.

 ‘’Ky projektligj nuk do të sjellë asgjë të mirë për qytetarët sepse nuk është pjesë e pakos gjithëpërfshirëse reformuese e cila në qendër e ka ndarjen e plotë të institucioneve blerëse të shërbimeve shëndetësore dhe ofruesve të tyre”.

Kjo është rruga që sipas Aganit do të sjellë lehtësira në sektorin e shëndetësisë.

“Rruga e vetme e drejtë për tejkalimin e vështirësive evidente në sektorin e shëndetësisë është vazhdimi i reformës së sektorit të shëndetësisë të filluar gjatë mandatit tim, nëpërmjet amandamentimit të ligjeve ekzistuese në fuqi për shëndetësi dhe për sigurime shëndetësore’’.

Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, ligji për sigurim shëndetësore u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por nuk u zbatua.

Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat