Diskutime në Bruksel lidhur me heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Aktuale

Diskutime në Bruksel lidhur me heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutojnë për mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura një vit më parë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Diskutimi mbështetet në raportin e Shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josef Borrell lidhur me përmbushjen e kushteve për heqjen e masave dhe burimet në Bruksel thanë se raporti propozon heqjen e tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha sot se qeveria shpreson që asnjë shtet të mos kundërshtojë heqjen e masave.

“Ka pas dy-tre shtete të cilat kanë preferuar heqje graduale të masave në dy shkallë, por jo që ka pas të tillë të cilët kanë qenë kundër heqjes së masave por shumica absolute e vendeve besojnë se vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë, mos vendosja e masave ndaj Serbisë ka qenë padrejtësia shtesë që i është bërë Kosovës”, tha ai.

Tashmë po bëhen një vit që kur qeveria e Kosovës u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, ku dërgimi i kryetarëve shqiptarë të komunave në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar, u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Bashkimi Evropian kishte kërkuar shtensionimin e situatës në veri, largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Që nga ajo kohë situata në veri të vendit është përshkuar me tensione dhe autoritetet ndërkombëtare po u bëjnë thirrje palëve që të shmangin veprimet që mund të tendosin edhe më tej situatën dhe të punojnë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet tyre.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takohet sot në Beograd me udhëheqësit serbë një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku tha se vizita e tij ka të bëjë me mënyrën e ri përqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrin palët për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes.

Në muajin mars të këtij viti u mbush një vit që kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj ende nuk ka filluar.

Zyrtarët evropianë kanë kushtëzuar integrimet evropiane dhe proceset tjera të integrimit për të dyja vendet me zbatimin e marrëveshjes

Në muajin prill ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Kosova dështoi në muajin maj të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pasi që autoritetet nuk pranuan kërkesat e vendeve kryesore evropiane për të dërguar projekt statutin për themelimin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat