Bislimi thotë se çmimi i paguar për masat ia vlejti, opozita me kritika

Aktuale

Bislimi thotë se çmimi i paguar për masat ia vlejti, opozita me kritika

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 18:08
Besnik Bislimi

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian i kanë bërë dëme Kosovës, por ia ka vlejtur moslëshimi pe për shkak të shtimit të sovranitetit në veri thotë zv.kryeministri Besnik Bislimi.

“Në situatën që kemi qenë atëherë ne është dashur të marrim vendim ose me heq dorë nga sovraniteti në veri ose me pagu një çmim për insistimin tonë për sovranitetin në veri. Ne mendojmë se ia ka vlejtur për arsye se situata sot në veri është sikur nata me ditën me situatën para dy-tri viteve”, tha Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian.

Sipas tij, Kosova ka paguar çmimin për masa, mirëpo janë paguar të njëjtat pasi terroristi Milan Radojiçiq tashmë është në arrati dhe e gjithë Evropa e konsideron kriminal.

Atij i reagoi kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

“S’mundesh me kesh Radojiçiqin kur ju merrni vesh me të. Shefja e grupit parlamentar, s’ki nevojë me lavdëru. Fol me emra kush e ka prit, fol me emra”, tha Krasniqi

Llogari dhe përgjegjësi për bisedën më Radojiçiq të shefes së grupit parlamentar të LVV-së kërkoi edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

“Ju duhet të mbani përgjegjësi dhe llogari sepse bisedat e fundit telefonike nuk i kemi bërë ne. A e dinë çfarë do të kishte ndodh me rrethana kur një anëtar i opozitës kishte me bisedu me njeriun i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. S’po flas për një individ të vetëm por për numrin e parë të deputetëve, shefen e grupit parlamentar të LVV-së”, deklaroi Deliu.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrija, tha se shpreson që nuk do t’i kërkohet ndonjë koncesion shtesë Kosovës për heqjen e masave.

“Shpresoj që nuk po i kërkohet ndonjë koncesion tjetër që të hiqen masat. Sa herë ndodhemi në një situatë të tillë kërkohet ndonjë koncesion tjetër që është në dëm të Kosovës”, tha ajo.

Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane tha se ka pasur tendencë nga shtetet anëtare të BE-së për koncesione shtesë ndaj Kosovës për largimin e masave ndëshkuese, mirëpo qeveria s’ka pranuar të shantazhohet.

“Ka pas në vazhdimësi jo nga Brukseli direkt por edhe kërkesa që kanë shkuar përtej arsyes që janë vendosur masat dhe kanë kërkuar koncesione shtesë. Natyrisht Kosova s’ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, theksoi Bislimi.

BE-ja kishte vendosur masat ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur në komunat veriore pa pjesmarrjen e komunitetit serb, I cili po kundërshtonte pjesmarrjen në ato zgjedhje.

Muaj më parë, me kërkesë të vetë komunitetit serb përmes mbledhjes së nënshkrimeve, institucionet kosovare i mundësuan komunave në veri mbajtjen e zgjedheve të reja për kryetarë komunash por që kishte dështuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat