Rashiq: S’jam për shuarjen e strukturave ilegale të Serbisë, por për bartjen e tyre brenda Asociacionit

Aktuale

Rashiq: S’jam për shuarjen e strukturave ilegale të Serbisë, por për bartjen e tyre brenda Asociacionit

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 16:01
Nenad Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, nuk është për shuarjen totale të strukturave ilegale serbe në Kosovë – të cilat operojnë ilegalisht në Veriun e vendit – por disi inkorporomi i tyre në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Asnjëherë s’kam thënë se do të mbyllen strukturat ilegale. Sipas disa pikëpamjeve është paraparë që këto struktura, institucionet të Republikës së Kosovës të barten brenda Asociacionit, interpretimi i përgjithshëm kur lexohen dokumentet është ky”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin serb, N1.

Megjithatë ai potencon se “nuk e di sa hapësirë dhe kapacitet do të ketë brenda institucioneve të Kosovës”, për të bërë një gjë të tillë.

Duke folur për Asociacionin, Rashiç ka vlerësuar se vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë ai që ka pranuar formimin e këtij mekanizmi.

“Asociacioni do të bëhet, marrëveshjet ndërkombëtare do të respektohen, Asociacioni duhet të jetë e para në agjendë”, ka shtuar ai.

Gjatë intervistës, Rashiç, ka pretenduar se nga Kosova ka një shpërngulje masive të serbëve, kjo për shkak të politikave të Listës Serbe.

“Po të pyesni qytetarët normalë, të cilët fatkeqësisht janë shpërngulur, do të të thonë se janë shpërngulur pikërisht për shkak të nepotizmit, pastrimit të parave dhe abuzimeve që po ndodhin pikërisht për shkak të Listës Serbe”.

Për këtë çështje Rashiç ka propozuar që serbët e shqiptarët të gjejnë një mënyrë për t’u mirëkuptuar dhe për t’u pajtuar.

“Nuk duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, ku numri i serbëve po zvogëlohet me shpejtësi. Ne thjesht nuk kemi asnjë metodë për t’u premtuar atyre një të ardhme më të mirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat