​Hoti replikon me bordin e RTK-së: E keni degraduar këtë institucion

Aktuale

​Hoti replikon me bordin e RTK-së: E keni degraduar këtë institucion

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 15:37
Pamje nga komisioni

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Buxhet, kanë kritikuar bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), për siç tha degradimin e këtij transmetuesi publik. Në mbledhjen që zgjati më shumë se dy orë, bordi i RTK-së theksoi se janë të rrezikuar nga borxhet e vjetra. raporti vjetor financiar i vitit të kaluar.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar për vitin e kaluar, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se totali i borxheve për vitin 2023 dhe këtë vit është mbi 255 mijë euro që janë marrë nga përmbaruesit privat.

"Gjatë vitit 2023 të hyrat e përgjithshme të RTK-së kanë qenë 10 milionë e 670 mijë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme 10 milionë e 547 mijë euro. Për pagesën e stafit kemi shpenzuar tetë milionë e 151 mijë euro, që do të thotë në krahasim me vitin paraprak janë 150 mijë euro më pak. Ndërsa, për shpenzime operative dhe programore janë një milion e 455 mijë euro që në krahasim me vitin e kaluar janë 300 mijë euro më pak... RTK është ballafaquar edhe këtë vit me çështjen e borxheve të vjetra. Ku shembull gjatë vitit 2023 janë tërhequr nga përmbaruesit përmes vendimeve të gjykatave 65 mijë e 621 euro, e cila ka pasur ndikimin e vet në likuiditetin e institucionit. Në vitin 2024 gjendja është edhe më e keqe. Deri më tani i kemi 189 mijë e 715 euro të mjeteve që janë tërhequr nga përmbaruesit për shkak të vendimeve të gjykatave”, deklaroi ai.

Boletini shtoi se kur e kanë marrë mandatin kanë pasur 1. 6 milionë euro borxhe të trashëguara, ndërkohë që tani totali i borxhit është rreth 850 mijë euro.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka folur për numrin e të punësuarve, ku theksoi se janë mbi 744 punëtorë të rregullt, për çka theksoi se numri ka qenë shumë më i madh.

“Në vitin që ju keni përpara raportin kemi 744 punëtorë të rregullt aktiv. Ndërkaq, në vitin 2021 kanë qenë në listë të pagave 1039. Në vitin 2021 të rregullt kanë qenë 787, por kontratat me shërbime në atë kohë kanë qenë si punëtorë të rregullt, sepse kanë punuar pesë ditë në javë në orar të rregullt”, u shpreh ai.

Për këtë ka pasur kritika deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se fokusi duhet të jetë në cilësi programore.

"Unë nuk kam pritur që ju do të vendosni rregullsi në menaxhimin financiar të RTK-së dhe raporti i auditorit të jashtëm e tregon këtë. Brengën e kam pasur por prapë bazohesha në fjalët e tuaja të mëdha që do ta ktheni këtë medium publik aty ku e ka vendin. Sot me ardhur drejtori i RTK-së dhe të krenohet me rregullsinë që ka vendosur duke e zvogëluar numrin e kontratave të përkohshme, ndërkohë që pozicioni i RTK-së në tregun medial nuk është përmirësuar, përkundrazi. Ti mund të thuash kemi vendosur rregullsi, i kam hequr kontratat e përkohshme por ti krahas kësaj duhet të na tregosh se sa emisione është dashur t’i shkurtosh në kuadër të RTK-së për të mbërri tek ky numër. Fokusi i juaj nuk duhet të jetë reduktimi i shpenzimeve, por fokusi i juaj është cilësia programore e RTK-së”, theksoi Hoti.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini theksoi se është rritur cilësia programore përkundër numrit të punëtorëve.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka replikuar me anëtarët e bordit të RTK-së, ku tha se janë përgjysmuar të hyrat dhe se ky bord e ka degraduar këtë institucion.

Hoti-Ahmetxhekaj: E keni degraduar këtë institucion

Hoti: Ti me kryetarin e bordit jeni duke e kthyer RTK-në si televizionet që janë në rajon, që janë rënë në fund të listës të televizioneve.

Boletini: Nuk është e vërtetë, ky është vlerësim politik. Absolutisht është vlerësim politik sepse nuk është i bazuar në asgjë. Unë përgjigjem në atë që jeni duke e thënë.

Hoti: Ti më thua edhe unë e kam shqetësim. Shqetësim unë e kam, ti duhet të japësh përgjegjësi.

Boletini: Jemi duke thënë përgjegjësi. Ka progres të dukshëm.

Hoti: Jeni duke e degraduar këtë institucion të rëndësishëm”, kanë thënë ata.

Komisioni për Buxhet nuk ka pasur kuorum për të shqyrtuar kërkesën buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2025, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfere. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat