Bytyqi e AAK-së: Deklarata e Bislimit, e ngutshme

Aktuale

Bytyqi e AAK-së: Deklarata e Bislimit, e ngutshme

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 08:31
Albana Bytyqi

Deputetja nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për raportin e Borrelit e ka vlerësuar si të ngutshme.

Ajo tha se edhe Stano e ka potencuar se përmbajtja e raportit rreth masave të BE-së nuk mund të spekulohet nga akterët jashtë bllokut evropian.

“Nuk është aspak mirë që të japim deklarata të tilla, sigurisht të ngutshme. Siç jam e informuar edhe Stano, ka deklaruar se afati i dorëzimit të raportit rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe se për të nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian. Reagimet e z Bislimi do të duhej të ishin të matura, dhe jo të krijojë një opinion në publik dhe të deklarojë se do të hiqen masat”, tha Bytyqi.

Deputetja e AAK-së, shpreson që Kosova mos të goditët më me sanksione si këto që janë ende në fuqi për vendin.

“Presim, neve nuk na duhen masa apo ndëshkime sepse këto masa janë ndaj shteti të Kosovës dhe uroj që kjo të ndodh sa më shpejt dhe të mos përsëriten më situate të tilla ku vendi ynë ndëshkohet nga politika të këqija”, theksoi deputetja e AAK-së.

Pasojat e Qeverisë po i vuan shteti i Kosovës, thotë Bytyqi.

Bytyqi deklaroi se masat e BE-së e kanë dëmtuar shtetin.

“Nuk mund të spekulojmë në këtë aspekt pasi nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur bëhet dorëzimi i këtij raporti, ndonëse heqja e masave për Kosovën do të ishte një lajm tejet i mirë pasi një gjë e tillë na ka dëmtuar si shtet por këto siç e dimë janë si pasojë e një qeverisje jo të mirë, aspak bashkëpunuese me ndërkombëtarët, pasojat e së cilës i pamë dhe vazhdojmë t’i vuajmë si shtet”, potencon ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat