“Kur e shoh këtë incizim, sa shumë e dua lirinë” | Nga një i mbijetuar në Malet e Berishës tash punonjës në Zyren e Presidentit

Aktuale

“Kur e shoh këtë incizim, sa shumë e dua lirinë” | Nga një i mbijetuar në Malet e Berishës tash punonjës në Zyren e Presidentit

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 00:07
Arianit Bytyqi

Ishin vitet e luftës 1998-1999. Në Malet e Berishës, pa ngrënë, pa pirë e pa strehë, fshiheshin shumë familje shqiptare. Mes tyre edhe shumë fëmijë.

Të lodhur e rraskapitur nga uria e frika, fëmijëve që mbijetuan në ato male u ndodhi një mrekulli. Ca pako me ushqime ranë nga qielli. Pakot me gjërat ushqimore, që mbase kurrë si kishin provuar më parë të vegjlit pa fëmijëri, i mblodhën atë ditë.

E teksa ushqeheshin me duart e vogla, atyre iu erdhi një shpresë: qielli ishte shpëtimi i tyre.

Dhe po, prapë nga qielli, përveç ushqimeve, ranë edhe bombat mbi caqet serbe, mbi ata që nuk i lanë fëmijët ta shijojnë lojën e rritën. Njëri nga fëmijët që atë ditë u ushqye me bukën që erdhi nga qielli, të cilën e dërguan Shtetet e Bashkuara të Amerikës është edhe Arianit Bytyqi.

Ai fëmiu i vogël, i trembur dhe i pa ngrënë, i ka mbijetuar luftës dhe tani punon në njërin nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, Presidencën e Republikës së Kosovës.

Aktivisti Esat Shala e ka publikuar një video ku Arianiti dhe disa të vegjël të tjerë falënderonin ata që ua kishin sjellë bukën e munguar.

Gjatë shërbimit në Zyrën e Presidentit, fëmiu që dikur ishte ushqyer nga pakot e ndihmave amerikane që kishin rënë nga qielli, kishte pasur rastin që t’i shërbente me kafe e pije njerëzit kryesorë që e kishin bërë të mundur intervenimin e NATO-s, si presidentin Bill Clinton, sekretaren Madeleine Albright, gjeneralin Wesley  Clark dhe madje edhe vetë presidentin e tashëm të SHBA-së, Joe Biden, i cili e kishte vizituar Kosovën si zëvendëspresident i SHBA-së.

“Incizimi i kohës së luftës përshkruan një ngjarje e përjetim ku unë isha pjesë e intervistës, si fëmijë në Malet e Berishës. Kur e shoh këtë incizim sa shumë e dua LIRINË”, kishte shkruar edhe vetë Arianit Bytyqi, duke e publikuar videon me pamjet nga koha e luftës në Malet e Berishës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat