Një muaj nga arratisja e Enver Sekiraqës – “po fshihet në Serbi ose Rusi”

Aktuale

Një muaj nga arratisja e Enver Sekiraqës – “po fshihet në Serbi ose Rusi”

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 19:43
Enver Sekiraqa

Një muaj nga arratisja e Enver Sekiraqës i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinë për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, shteti ende nuk ka arritur t’i bie në gjurmë se ku po fshihet Sekiraqa i mirënjohur nga bota e krimit në Kosovë.

Media ka pyetur për këtë çështje zyrtarisht policinë, por që nga ky institucion i sigurisë nuk kanë kthyer përgjigje, në anën tjetër Shefqet Riza, babai i Trumfit ka thënë se Sekiraqa “po fshihet në Serbi ose Rusi”, meqë sipas tij, në Beograd kishte qëndruar edhe më herët.

“Në Serbi e ka pasur edhe me herët vendin kur e kanë vra Triumfin, atëherë ka qenë atje edhe tash ose është në Serbi ose në Rusi, nuk ka ku të fshihet në tjetër shtet”, tha Riza.

Ai është shprehur i bindur se për largimin e Sekiraqës nga Kosova kanë qenë në dijeni në Gjykatën e Apelit dhe polici, në të kundërtën sipas tij, arratisja do ishte e pamundur.

“Sekiraqa është liruar në bashkëpunim me gjykatën, përndryshe nuk kishte pasur mundësi me u largu nga Kosova një kriminel ordiner që e ka terrorizuar popullin dhe tani është në liri”, shtoi Riza.

Por, Kosovare Kelmendi, avokate e Sekiraqës, ka thënë për AP se nuk ka njohuri se ku ndodhet klienti i saj dhe se as nuk ka pasur kontakt me të që nga arratisja.

”Unë nuk kam kontakt fare me të dhe nuk kam pas asnjë kontakt nga dita e përfundimit të gjykimit në shkallë të parë. Unë jam mbrojtëse e tij në proces gjyqësor, jashtë procesit gjithçka është çështje e tij personale”, shpjegoi ajo.

Për juristin Ardian Bajraktarin, në rastin Sekiraça drejtësia “ka dështuar” në administrimin e këtij rasti, për faktin se edhe pas kaq vitesh, nuk ka ende një vendim final gjyqësor për rastin në fjalë.

“Gjykata po ashtu i ka mundësuar të njëjtit largimin, përkatësisht arratisjen, ngase nga data 3 maj i këtij viti, kur është shpallur aktgjykimi e deri me datë 17 maj kur ka vendosur Gjykata e Apelit në raport me masën e sigurisë, personi në fjalë ka qenë i lirë pa asnjë masë kufizuese”, tha Bajraktari.

Ndërkaq juristi tjetër, Arbër Jashari, thotë se shembulli i arratisjes se Enver Sekiraqës tregon se institucionet ligjzbatuese duhet të jenë “më vigjilente” në trajtimin e rasteve penale, sidomos kur kemi të bëjmë më persona të profilit, çfarë është Sekiraqa.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTEROL, do të ishte një hap jashtëzakonisht i madh në luftën kundër krimit, meqë do të mundësonte një shkëmbim më të mirë të informacionit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit ndërshtetërorë.

“Po ashtu të qenurit pjesë e kësaj organizate, do të minimizonte mundësitë e të pandehurve, si në rastin konkret, për shmangie nga drejtësia. Por edhe kështu si jemi, ka hapësirë ligjore, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në fushën penale, sidomos me shtetet mike”, u shpreh ai.

Ndryshe, më 23 maj, Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Sekiraqën, duke kërkuar bashkëpunim me qytetarët për arrestimin e tij.

Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Sëiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Swiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat