Ish-eurodeputetja Doris Pack krenare për Kosovën, optimiste se do anëtarësohet në KiE

Aktuale

Ish-eurodeputetja Doris Pack krenare për Kosovën, optimiste se do anëtarësohet në KiE

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 19:37
Doris Pack

Kryqëzimi që lidh rrugët Ali Ajeti e Agron Rrahmani në Podujevë do ta bartë tashmë emrin e ish eurodeputetes evropiane Doris Pack.

E në emërtimin e rrugës, e pranishme ishte edhe vetë ish-eurodeputetja, bashkë me kryetarin e kësaj Komune, Shpejtim Bulliqi.

Bashkë me ta ishin edhe përfaqësues institucionesh në kohën kur kishte shërbyer Pack.

E pas emërtimit të kësaj rruge, Pack tha se është e emocionuar por edhe krenare për Kosovën.

“Jam shumë krenare, është rruga e vetme në botë që ka emrin tim dhe është zgjedhur nga njerëzit e Kosovës sepse jam shumë e afërt me ta dhe jetët e tyre, hera parë që isha këtu ishte viti 1999 dhe që nga ajo kohë unë kam bashkëndjerë me këtë popull, kam vuajtur bashkë me ta dhe disa herë isha e lumtur për ta” u shpreh Pack.

Derisa u shpreh optimiste që Kosova së shpejti do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Shpresoj shumë që e ardhmja e këtij vendi do të jetë më e mirë sesa e kaluara… Unë nuk mund të bëjë më shumë për shkak se nuk jam në një post aktiv por do të jem zëri i Kosovës tek pjesa perëndimore dhe do të kem kontakt të vazhdueshëm me kolegët e mi në Parlamentin Evropian për t’iu treguar atyre çka nënkupton t’iu ndihmojnë juve sepse është një vend shumë demokratik i cili meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës” shtoi ajo.

Kurse i pari i qytetit, tha se kjo është vepër e vogël krahas kontributit të madh që ka dhënë Pack për internacionalizimin e vendit.

Pack është shpallur edhe qytetare nderi e Komunës se Podujevës në nderim të 25-vjetorit të çlirimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat