Takimi me Bislimin, për detajet flet emisari Lajçak, përmend raportin e Borrell-it

Aktuale

Takimi me Bislimin, për detajet flet emisari Lajçak, përmend raportin e Borrell-it

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 18:04 Përditësuar në ora: 22:24 më 18.06.2024
Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak

Deklarohet Bislimi pas takimit me Lajçakun

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, të martën priti në takim emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Siç njoftohet, përgjatë takimit u bisedua mbi rrugën përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Bislimi ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët.

Gjithashtu shtoi se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar.

Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

Përgjatë konferencës për media, Lajçak është pyetur edhe për raportin që kryediplomati evropian, Josep Borrell ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së, lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.

Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.

Lajçak e ka ripërsëritur qëndrimin e tij që masat ndaj Kosovës do të duhej të hiqeshin si shenjë solidariteti pas sulmit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, por që u takon vendeve të BE-së ta marrin atë vendim.

Vendet e BE-së pritet të diskutojnë të mërkurën për raportin e Borrellit.

Kosova e konsideron si terrorist sulmin vdekjeprurës të Banjskës dhe akuzon Serbinë për organizim dhe kryerje të tij, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Lajçak: Raporti për masat do të diskutohet nesër – qëndrimi im është se ato duhet të hiqen

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se arsyeja e vizitës së tij sot në Prishtinë është për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizmit dhe se çfarë hapa konkretë duhet të ndërmirren në këtë.

Lajçak tha se në takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi folën për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.

“Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.

“Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, tha Lajçak.

Në konferencë për media, Lajçak foli edhe për raportin që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ia ka dërguar shteteve anëtare në lidhje me heqjen ose jo të masave.

“Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”.

“E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen. Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, tha ai.

Nis takimi Bislimi – Lajçak

Ka nisur takimi në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërsa takim në mes të Lajçakut e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani nuk do të ketë shkaku i mospërputhjes së agjendës së Osmanit.

Kjo u bë e ditur nga Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

“Presidentja Osmani nuk ka takim me z.Lajçak, shkaku i mospërputhjes me agjendën e paracaktuar të Presidentes”, tha Kupina.

Ndërsa ende nuk ka ndonjë njoftim nga kryeministria se a do ta takojë Lajçak kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat