Kurti e vlerëson zhvillim pozitiv heqjen e vizave nga Izraeli

Aktuale

Kurti e vlerëson zhvillim pozitiv heqjen e vizave nga Izraeli

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 17:26
Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Brendshëm izraelit, Moshe Arbel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Brendshëm izraelit, Moshe Arbel, me ç’rast e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv heqjen e vizave me Izraelin.

Në këtë takim siç njofton kryeministria, Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Izraelin po vazhdojnë të zgjerohen.

“Kryeministri Kurti i uroi fillimisht mirëseardhje ministrit Arbel, veçanërisht me rastin e marrëveshjes e cila do të nënshkruhet sot mes dy shteteve tona për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai e vlerësoi këtë marrëveshje si zhvillim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Izrael, por edhe lajm i mirë për qytetarët tanë, i cili vjen 6 muaj pasi u arrit dhe liberalizimi i vizave me zonën Shengen”, thuhet në njoftim.

“Vizitat e ndërsjella dhe marrëveshjet e nënshkruara në fusha e sektorë të ndryshëm mes nesh, janë rezultat i zgjerimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit. U nënvizua rëndësia e fuqizimit edhe më tej të bashkëpunimit ekonomik, rritjes dhe promovimit të shkëmbimeve tregtare, për të cilën kryeministri dhe i ftoi kompanitë dhe investitorët izraelit që të hulumtojnë e njohin prej së afërmi ambientin e përshtatshëm të të bërit biznes që ofron Kosova”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti ka përmendur dhe iniciativën për renovimin e Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren “projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Kurti e ka falënderuar ministrin Arbel për “vizitën dhe bisedën e frytshme”.

Ndryshe, sot Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë sot më 18 qershor nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Izrael hyn në fuqi më datën 19 shtator të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat