Kosova sot ia dorëzon Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

Aktuale

Kosova sot ia dorëzon Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 11:33
Foto ilustrim

Mbetjet e tre trupa të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, pritet t’u dorëzohen autoriteteve të Serbisë, të martën, në pikën kufitare në Merdarë. Ata kanë qenë në mesin e 280 trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbetjet e trupave që do të dorëzohen sot, kanë qëndruar në Institut që nga paslufta, por ka qenë problem identifikimi i tyre.

Kanë qenë në Institut sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e tyre që janë të identifikuar”, ka thënë ai.

Për pranimin e këtyre trupave kanë njoftuar edhe autoritet e Serbisë. Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Serbisë bëhet e ditur se sot në Merdarë, autoritetet e tyre do të pranojnë mbetjet e dy personave, ndërsa për personin e tretë, mbetjet do t’i pranojë familja e tij. Sipas Qeverisë së Serbisë, ata janë vrarë në Ferizaj, Prizren dhe Prishtinë në vitin 1999.

Haliti ka thënë se në Institut janë ende shumë mbetje mortore të paidentifikuara.

I kemi 280 trupa (mbetje kockore) që nuk kanë përputhje me mostrat e gjakut, janë të dy komuniteteve, serbë dhe shqiptarë. Po punohet edhe në rrafshin e zhvarrimeve që janë bërë vitin e kaluar, por edhe rishikimin e mbetjeve mortore që janë”, ka thënë ai.

Haliti, po ashtu, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës, misioni i EULEX-it e Komisioni qeveritar për të pagjeturit, janë duke i vazhduar kërkimet për mbetje mortore, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 persona. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Sipas Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të pagjetur, gjatë vitit 2023 u gërmua në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës, që ndërlidhen me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe në një lokacion në Serbi.

“Të zhvarrosura janë mbetjet mortore të njëzet individëve – viktima të luftës, edhe pse numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre do të përcaktohen pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi përmes analizës së ADN-së”, thuhet në raportin e Komisionit qeveritar të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat