​Bislim Elshani nderohet me Dekoratën “Ukshin Hoti”

Aktuale

​Bislim Elshani nderohet me Dekoratën “Ukshin Hoti”

Më: 17 qershor 2024 Në ora: 22:42
​Bislim Elshani

Komuna e Rahovecit në një ceremoni solemne sonte ka ndarë Dekoratën “Ukshin Hoti” në 81-vjetorin e lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, për fatin e të cilit nuk dihet ende asgjë tash e 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Në këtë shënim të ditëlindjes së 81-të, kryetari i Rahovecit Smajl Lafiti i ka ndarë Dekoratën “Ukshin Hoti” Bislim Elshanit, i cili u kujdes në mbledhjen e deklaratave, kumtesave, qëndrimeve politike të Ukshin Hotit dhe i botoi në librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, ndërsa më vonë nxori në dritë edhe letërkëmbimin Ismail Kadare- Ukshin Hoti – “Bisedë përmes hekurash”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se figura vepra e veprimtarit Ukshin Hoti vazhdon të jetë e gjallë dhe e pavdekshme edhe në ditët e sotme, teksa bëri thirrje që të punohet për ndriçimin e fatit të tij.

“Ata që kanë mundësi të bëjnë diçka, do të ishte mirë që të bëjnë diçka konkrete për ndriçimin e fatit të tij, i cili edhe 25 vjet pas zhdukjes me dhunë nga ana e forcave speciale të Serbisë, ende nuk dimë asgjë për fatin e tij. Ne sot shënojmë ditëlindjen e 81, sepse Ukshin Hoti ka vetëm ditëlindje, dhe pavarësisht sa jemi ne sot këtu Ukshin Hoti mbetet i madh, ndërsa ne jemi të gjithë të vegjël”, ka thënë Latifi.

Ai tha veprimtari Ukshin Hoti u bë sinonim i luftës së pa kompromis për luftën për liri dhe frymëzues i grupeve dhe lëvizjes sonë kombëtare.

“Në këtë mënyrë ai mbante lidhjet e tij me njerëzit e tij dhe me popullin e tij duke transmetuar me porosi e fjalë e me veprime konkrete, ishte për një dije më të avancuar politike dhe punonte në këtë drejtim. Pavarësisht se u pengua, u izolua dhe u etiketua në mënyrat më banale të mundshme, megjithatë mendja dhe pikëpamjet e tij politike triumfuan. Edhe sot e kësaj dite janë mendime, ide dhe pikëpamje triumfuese. Duke qenë i tillë, Ukshin Hoti imponoi autoritetet me vendosmëri dhe ishte kundër mistifikimit, idhujtarisë dhe ngritjes në individit në kult, andaj sot jemi në hapësirat ku punoi dhe veproi ai dhe ku i kaloi ditët e fundit të jetës në liri. Njerëzit vijnë këtu dhe i bëjnë nderim një figure që padyshim është ndër më emblematike dhe vizionar i dëshmuar”, ka thënë Latifi.

Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Andin Hoti, i biri i veprimtarit Ukshin Hoti, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ribotohen veprat ekzistuese, por edhe dorëshkrimet e Ukshin Hotit, të cilat do t’iu shërbejnë edhe institucioneve të larta arsimore për qëllime shkencore.

Ai ka thënë se Serbia vazhdon të mbajë të fshehur fatin e personave të pagjetur, në mesin e tyre edhe atë të Ukshin Hotit.

“Ne vazhdojmë të jemi në luftë direkte me Serbinë, sepse ne përballemi me krimin që është fshehja e krimit të luftës dhe fshehja e fatit të 1600 personave të zhdukur me dhunë, duke përfshirë edhe Ukshin Hotin... Jemi të sigurt nga të gjitha dëshmitë që janë bërë në mënyrë të organizuar nga pushteti i Beogradit përmes ushtrisë dhe policisë së saj. Kurdo që themi në media se kur ne kërkojmë arkivat, ne kërkojmë dokumentet, informatat nga Serbia, ne themi se e dimë që ekzistojnë, por Beogradi vazhdon të bëjë edhe një krim të dyfishtë e të trefishtë duke i mbajtur të fshehura këto dokumente dhe mos ta i sigurojë neve që do ta shërbenin për zbardhjen e fatit të këtyre personave”, ka thënë ai.

Një fjalë rasti në nderim të jetës dhe kujtimit për Ukshin Hotin kanë mbajtur edhe Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit që mban emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Arbër Zenuni.

Ndryshe, Dekorata “Ukshin Hoti” u ndahet personaliteteve të shquara të fushës politike e familjeve emblematike dhe individëve që kanë kontribuar për liri, dinjitet njerëzor e kombëtar, aktivistëve për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave historike-kombëtare shqiptare dhe atyre që janë shquar për vlerat universale humaniste e civilizuese.

Kjo dekoratë mund t’u ndahet edhe personave të huaj që kanë kontribuuar për çështjen shqiptare apo për mbrojtjen e vlerave universale civilizuese e humaniste.

Kryetari i Komunës për çdo vit, në datëlindjen e Ukshin Hotit, më 17 qershor, ndan dekoratë për personalitetet e përcaktuar për këtë dekoratë.

Më 17 maj 1994, Ukshin Hoti u arrestua dhe u dënua nga ish-regjimi serb me pesë vjet burg për shkak të pikëpamjeve të tij politike kombëtare. Ndërsa po vuante dënimin në burgun e Dubravës, Ukshin Hoti më 16 maj 1999 është nxjerrë nga gardianët serbë dhe u dërgua në drejtim të panjohur. Familja dhe shoqëria vazhdon të kërkon të di për fatin e tij edhe 25 vjet pas zhdukjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat