Ushtria e Kosovës tregon forcën: Gati për të mbrojtur kufirin

Aktuale

Ushtria e Kosovës tregon forcën: Gati për të mbrojtur kufirin

Më: 26 prill 2024 Në ora: 23:59
Ushtria e Kosovës

Ushtria e Kosovës, kjo ëndërr shekullore e shqiptarëve vijon të perfeksionohet si një shtyllë e rëndësishme e sigurisë në një kohë kur kërcënimet janë shtuar. Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend për qytetarët e Kosovës dhe këtë e kupton sapo hyn në zonën ushtarake në periferi të Gjakovës.

“Gjendemi në hapësirat trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky është poligoni taktik në Babaj të Bokës, ku ushtarët e Kosovës stërviten me municione reale për skenarë të ndryshëm në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, raporton gazetari i A2 CNN Ideal Gola.

Përkushtimi dhe disiplina vihen re menjëherë mes ushtarëve, të cilët po i nënshtrohen një ushtrimi fushor.

Image

“Secili pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe edukohet, edhe stërvitet, edhe disiplinohet mirëpo edhe në aspektin kombëtar sesi do t’i shërbehet vendit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe secili nga pjesëtarët e ka atë vetëdijën që secili prej tyre është duke punuar për diçka më të madhe sesa janë vetë dhe familjet e tyre, pra është shërbimi ndaj atdheut dhe paqes në përgjithësi”, tregon Kolonel Valdet Berisha, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Komandës së Forcave Tokësore.

Që nga dita e parë, ushtari i Kosovës edukohet e trajnohet sipas modelit të avancuar të NATO-s. “Forca e Sigurisë së Kosovës, gjëgjësisht edhe Komanda e Forcave Tokësore, në këto stërvitje që jeni, kryesisht i ndjekim doktrinën amerikane dhe standardet e NATO-s”, thotë Koloneli Berisha.

Image

Kompania e Shtabit rreshtohet dhe jepen urdhrat e parë për nisjen e stërvitjes. Ata bëjnë qitje në nivel të skuadrës me municion real.

Elementi ynë është duke u trajnuar në drillet e betejës, atkualisht skuadrat janë duke u testuar për reagime në kontakt me municion real, kemi testimin në shkëputje të kontaktit dhe në krahmarrje”, tregon Kapiten Dëfrim Kurti, komandant i Kompanisë së Shtabit.

Testimi final bëhet konform procedurave dhe doktrinës së Forcës ndërsa pjesëtarët janë edhe të stërvitur edhe në vende të ndryshme të NATO-s.

“Ne aktualisht jemi në fazën e testimeve që kemi bërë, stërvitjet kanë qenë herët të planifikuara, kemi vazhduar ligjerata në klasë, në aktivitete të tjera, në poligonë të tjera, në poligonin aktualisht jemi duke bërë testimin final me municion real të drilleve të trajnuara deri më tani” , shprehet Kapiten Kurti.

Po në këtë poligon, por disa kilometra më larg është e vendosur Kompania 2B e Regjimentit të Dytë që aktualisht është e vendosur në tri togje.

Në zhvendosemi në bazën patrulluesë të Togut të Parë ku togeri shpjegon misionin të gjithë ushtarëve. Udhëheqësit e skuadrave kujdesen që ushtarët të pajisjen me municionin dhe pajisjet e tjera të domosdoshme. Nisja, sipas itinerarit të përcaktuar bëhet vetëm pasi të sigurohet se të gjithë janë të gatshëm për misionin.

Image

“Audiencë primare e këtij trajnimi është Kompania B Regjimenti i Dytë të Forcave Tokësore. Jemi brenda skenarit të zhvillimit të Kompanisë B ku brenda muajit qershor 2024 ne do të validohemi për detyra të reja, me mision tonë të mbrojtjes të sovranitetit dhe intergtietit territorial të Republikës së Kosoës. Kjo nënkupton detyra që kompania duhet të trajnohet për operacione sulmuese dhe operacione mbrojtëse”, tha kapiten Klevis Elezaj, komandant i kompanisë 2B, regjimenti 2 i Forcave Tokësore.

Morali i ushtarëve të Kosovës është i lartë duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të njerëzve që dhanë gjithçka për Kosovën Republikë. “Ne si popull kemi pasur kauza të drejta dhe të ligjshme, morali ynë varet nga e kaluara jonë, nga shembulli që kanë dhënë heronjtë të kombit tonë duke filluar nga komadanti legjendar Adem Jashari, Hamza (Jashari) e vazhdon deri Luani (Haradinaj), Shkëlzeni (Haradinaj), Agim (Zeneli) e Myrta (Zeneli) e Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, kështu që në momentin që përmend këto figura morali shkon në qiell”, thotë Elezaj.

Kërcënimet në drejtim të Kosovës i dëgjojmë e shohim çdo ditë, si me deklarata ashtu edhe me sjellje të Serbisë, por bijtë e vendit janë gati nëse kërcënohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës.

“Ushtarët e Kompanisë B, por edhe çdo ushtar që është brenda Forcës së Sigurisë së Kosovë është i gatshëm në çdo moment kurdo që thirret për punëne tij t’i dalin zot atdheut dhe shtetit të tij. Jemi të gatshëm, të trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe kemi pajisje të standardeve të NATO-s dhe mendoj që këto janë një siguri edhe për Kosovën edhe për rajonin”, shprehet Elezaj.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në planin 10-vjeçar të tranzicionit për ta kthyer në Forcë të Armatosur, i cili plan përfundon në vitin 2028. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat