Ambasadori Robert Wood, përfaqësues Alternativ i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Speciale Politike në Kombet e Bashkuara, është deklaruar pas takimit që patën të hënën më 22 prill me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Misioni i ShBA-së në Kosovë, ka bërë të ditur se Wood dhe Osmani diskutuan për marrëdhëniet e ngushta dhe të qëndrueshme dypalëshe.
“Ambasadori Wood nënvizoi aspiratat e SHBA-së për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor për të ndërtuar një integrim më të madh ekonomik rajonal, për të nxitur stabilitetin rajonal, demokracinë dhe shoqëritë multi-etnike dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, është njoftuar se ambasadori Wood përsëriti thirrjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Serbinë që të ndërmarrin hapa konkretë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE.