Deklarimet për Rugovën e UÇK-në, Xhavit Haliti i përgjigjet Lumir Abdixhikut

Aktuale

Deklarimet për Rugovën e UÇK-në, Xhavit Haliti i përgjigjet Lumir Abdixhikut

Më: 23 mars 2024 Në ora: 11:09
Xhavit Haliti

Deklaratat e deputetit Xhavit Haliti dhe të publicistit Baton Haxhiu në emisionin Pressing rreth prapaskenave të Rambujesë kanë nxitur një debat të madh në Kosovë. Haliti në Pressing ka thënë se kanë qenë pesë zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën që i kanë kërkuar presidentit amerikan, Bill Clinton, që të mos e njoh UÇK-në. Ndërkohë Baton Haxhiu ka përmendur në detaje se kush kanë qenë këta pesë zyrtarë të LDK-së.

Për këto deklarime të të dyve, në Pressing ka folur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke thënë se bëhet fjalë për kundërshtarë ideologjik të Ibrahim Rugovës të cilët kanë averzion ndaj projetktit të ish-presdientit, projekt që sipas Abdixhikut është fitimtar.

“Si deklaratë është skandaloze, dhe si dëshmi historike është e pa relevancë, por si mjet analitik është shumë e rëndësishme. Sepse bëhet fjalë për kundërshtarët ideologjik të Ibrahim Rugovës që kanë një averzion ndaj projektit të tij dhe faktit që projekti i tij është fitimtar, pra projekti i Ibrahim Rugovës, i një Kosove të pavarur, sovrane, të anëtarësuar në NATO dhe BE”, kishte thënë Abdixhiku si kundërpërgjigje ndaj Halitit e Haxhiut.

I pyetur se për kë e ka fjalën, Abdixhiku kishte thënë se Haliti dhe Haxhiu janë të një shkolle.

“Ata dy nuk i dalloj shumë janë një shkollë”, kishte shtuar tutje.

Për këto deklarime të Abdixhikut është kundërpërgjigjur vetë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti. Sipas zyrtarit të PDK-së, Abdixhiku po kërkon të bëhet rugovian pa e njohur siç duhet shkollën dhe Rugovën,

“Lumiri që e ka postin falas, kërkon të bëhet rugovian, pa njohur siç duhet as doktrinën dhe as vetë Rugovën!”, ka shkruar ai.

Tutje Haliti ka thënë se Abdixhiku do të ketë kohë të mësojë shumë gjerë.

“Nejse, ka kohë të mësojë shumë gjëra, përfshirë edhe atë se historia as nuk pritet me gërshërë dhe as nuk mbulohet me “make up”!”, ka shtuar Haliti.

Në fund thotë se Abdixhiku erën e plumbave e ngatërron me erën e qumështit.

“Erën e plumbave e ngatërron me erën e qumështit, por i ri është, do të mësojë!”, ka përfunduar ai.

Xhavit Haliti, ka thënë në “Pressing” të T7 më 20 mars ka deklaruar se një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kishte shkuar në Uashington duke i kërkuar presidentit amerikan Bill Clinton që mos ta njohin UÇK-në.

“Ka pasur përpjekje shumë të mbrapshta të institucioneve të Kosovës që kanë shku në Uashington te presidenti Clinton i kanë kërku që të mos e njohin UÇK-në”, kishte thënë Haliti.

Emrat e tyre në emision i kishte treguar gazetari Baton Haxhiu.

“Kanë qenë Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Fehmi Agani”, ishte thënë publicisti Baton Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat