Ndodh në Kosovë: Mërgimtarit i vidhen mbi 5 mijë euro, Prokuroria nuk i interviston të dyshuarit - kjo është arsyeja

Aktuale

Ndodh në Kosovë: Mërgimtarit i vidhen mbi 5 mijë euro, Prokuroria nuk i interviston të dyshuarit - kjo është arsyeja

Nga: M.Lakna Më: 26 janar 2024 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Vjedhjet janë ndër krimet më të shpeshta që ndodhin në Kosovë. Qytetarët jo rrallëherë përballen me këtë fenomen të shëmtuar. Më së shpeshti atyre u vidhen para,  stoli ari dhe gjësende të tjera me vlerë.

Pre e hajnave ka rënë edhe mërgimtari Agim Bajraktari nga fshati Klinë e Epërme e Komunës së Skenderajt.

Më datën 14 maj të vitit të kaluar atij iu vodhën hiq më pak se 5 mijë e 300 euro.

Bajraktari ka rrëfyer ngjarjen për gazetën “Bota sot”, ndërsa ka shprehur dëshpërimin e tij me organet e drejtësisë të cilat i akuzon për neglizhencë të rastit.

“Më datën 14. 05. 2023 unë dhe djali im Rafael Hamza Bajraktari dhe shoku ynë amerikan që jeton në fshatin tonë Ë.M. i martuar këtu, ishim në Picerinë Melisa në mbrëmje duke pirë kafe. Me vete i kisha 5300 Euro që i solli djali i im nga Gjermania.

Ai më 5 maj i solli 10,500 Euro, për ndërtimin e dritareve në shtëpinë që para dy viteve e ndërtoi. 4000, Euro ja pagova firmës “K...”. Mirëpo atë mbrëmje në Piceri i kisha me vete 5300 që doja t’ia paguaja prapë firmës. E kisha një çantë rreth qafe. Pas një kohe shkova në banjë të picerisë së firmës për mbledhjen e qumështit me pronarin B.. Aty e mora çantën me vete. Aty i pastrova duart mirëpo çantën e harrova brenda. Pas një kohe më ra ndërmend, u ktheva e gjeta çantën, e çela aty ishin pasaportat e djalit Kosovare dhe Greke. Mirëpo, zarfi me 5300 euro nuk ishte. I thirra në telefon policinë, erdhën mirëpo as shenjat e gishtërinjve si morën as asgjë, shumë të pa interesuar të kryejnë problemin”, rrëfehet Bajraktari për “Bota sot”.

Bajraktari ankohet edhe në hetuesin e policisë L.G. për të cilin thotë se nuk e ka bërë punën siç duhet. Madje, thotë se ka edhe dëshmi se kush janë autorët e krimit, por që ende prokuroria nuk i ka intervistuar të njëjtit.

“Mirëpo, si shkurt hetuesi i Policisë L. G. nuk e ka bërë punën siç duhet. Krejt këtë kohë kurrë s’ më ka thirrur të më tregojë se çka ka të re për zbardhjen e rastit.

Kur kam shkuar tek ai në stacionin policor më shumë më ka pyetur mua, sesa të pandehurit, vëllezërit binjakë K. e Sh. B, që punojnë aty 7 ditë të javës, që e përcjellin çdo mizë që fluturon. Kamerat tregojnë që ata dy i kanë vjedhur paratë. Mirëpo, që sa kohë policia në Skenderaj nuk është marr me ta”, ka thënë Bajraktari.

Ai tregon se lënda më vonë ka kaluar në Mitrovicë te prokurorja Albana Burduzi.

“Ajo në fillim deshi ta mbyll rastin me arsyetimin se s’ka dëshmi. Mirëpo unë ja afrova të gjitha dëshmitë.

Ajo sot, nesër e tash pas një viti nuk i merr i merr as në pyetje vjedhësit. Shumë herë kam shkuar që në mëngjes në ora 9:00 të mëngjesit as që është ndalur të flas me mua.

Përgjigja ishte: “S’kam kohë”. D.m.th unë jam shumë i zhgënjyer, se këta po e ndihmojnë krimin. Asnjëherë në pyetje s’i kanë marr”, është shprehur Bajraktari.

Nisur nga ky rasti i tij personal z. Agim Bajraktari thotë se kështu inkurajohen kriminelët që të kryejnë krime.

“Ju japin kurajë plaçkitësve që të vazhdojnë me krime. Për atë arsye çdo ditë këtu e gjithkund në vendin tonë ndodhin vjedhje e krime. Kjo pasi kanë edhe lidhje mes vete ku kam dyshim edhe prokuroren e ka shtyrë dikush të mos e kryejnë këtë lëndë. Vetëm duan ta shtyjnë pa fund. Unë që 40 vjet jetoj në Gjermani. Atje s’ punojnë me korrupsion”, ka potencuar ai.

Nga ana tjetër, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka thënë se për këtë rast prokurorja e rastit e ka marrë në pyetje palën e dëmtuar.

Ndërsa, sipas tyre rasti i Agim Bajraktarit nuk ka mundur të procesohet për shkak se ka shumë raste të tjera më me urgjentë para tij.

“Për rastin njoftoheni se i dëmtuari është marrë në pyetje nga prokuroja e rastit.

Njëherit, rasti është i vitit 2023, dhe për arsye se prokurorja e rastit ka një numër të madh të rasteve që janë më me urgjencë, si me paraburgim dhe sekuestrim, e po ashtu ka raste shumë më të vjetra, për këto arsye nuk ka mund të procesohet deri tash, por është marrë në pyetje i dëmtuari e po ashtu do të merren në pyetje edhe palët tjera”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat