“Mandatimi i Abazoviqit, fitore e madhe për Malin e Zi dhe shqiptarët”

Aktuale

“Mandatimi i Abazoviqit, fitore e madhe për Malin e Zi dhe shqiptarët”

Më: 4 mars 2022 Në ora: 00:19
Dritan Abazoviq

Shqiptari Dritan Abazoviq është mandatar për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka njoftuar se pasi i ka përfunduar konsultimet me partitë politike, ia ka dhënë mandatin liderit të Lëvizjes Qytetare URA dhe ish-zëvendëskryeministrit.

Në lidhje me këtë, ka folur Fatmir Gjeka, deputet në Kuvendin e Malit të Zi.

Gjeka tha se ky është një hap i mirë për të vazhduar rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian të Malit të Zi.

“Ne si shqiptarë dhe si Parti Nacionale, kemi kontribuar që të vijmë deri te rrëzimi i qeverisë së mëparshme dhe formimi i qeverisë së re. Unë mendoj se është një hap i mirë për të vazhduar në rrugën e vazhdimit të integrimit të Malit të Zi në BE, duke ditur se Mali i Zi është vendi i cili ka ecur shumë larg në integrimet me BE-në në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe i ka hapur të gjithë kapitujt, por kemi një hap prapa gjatë kësaj qeverisjeje, e cila për fat të mirë ra në muajin janar”, u shpreh ai.

Ai mandatimin e Abazoviqit e cilësoi si fitore të madhe për Malin e Zi dhe shqiptarët, përcjell Klankosova.tv.

“Kjo është një fitore shumë e madhe për Malin e Zi dhe qytetarët e Malit të Zi. Mendoj që Mali i Zi fiton më së shumti me këtë, duke u dhënë leksion vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.  Përpos që fiton shoqëria malazeze dhe Mali i Zi, fitojnë edhe shqiptarët që jetojnë këtu dhe ajo që është me rëndësi është që të gjithë së bashku të vazhdojmë rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Tutje, ai u shpreh se nga presin që shqiptarët e Malit të Zi të kenë zhvillim më të madh ekonomik

“Ne kemi qenë së bashku gjatë gjithë kohës për ta rrëzuar këtë qeveri dhe për t’i dhënë përkrahje Dritanit për t’u bërë kryeministër. Ne presim që shqiptarët e Malit të Zi të kenë zhvillim më të madh ekonomik dhe migrimi i të rinjve të ndalet”, tha Gjeka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat