Kongresi Kombëtar Afrikan fillon bisedimet për të formuar një koalicion qeverisës në Afrikën e Jugut

Afrika

Kongresi Kombëtar Afrikan fillon bisedimet për të formuar një koalicion qeverisës në Afrikën e Jugut

Më: 2 qershor 2024 Në ora: 20:38
Presidenti Cyril Ramaphosa

Afrika e Jugut njoftoi të dielën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, duke konfirmuar se asnjë parti nuk fitoi shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë më vete. Ndërkohë, partitë politike kanë filluar bisedimet për të formuar një koalicion të paprecedentë qeverisës në ekonominë më të përparuar të kontinentit.

Partia Kongresi Kombëtar Afrikan humbi shumicën e saj 30-vjeçare duke marrë rreth 40% të votave në zgjedhjet e javës së kaluar, dhe renditur e para.

Për herë të parë në 30 vjet, ajo duhet të formojë një koalicion qeverisës me një ose disa parti të tjera dhe për të rizgjedhur Presidentin Cyril Ramaphosa për një mandat të dytë. Presidenti zgjidhet nga parlamenti.

“Populli e tha fjalën e tij", tha Presidenti Cyril Ramaphosa. “Duam apo nuk duam, ata kanë folur. Ne kemi dëgjuar zërat e popullit tonë dhe duhet t’i respektojmë zgjedhjet dhe dëshirat e tyre. Populli i Afrikës së Jugut pret që udhëheqësit e tyre të punojnë së bashku për të përmbushur nevojat e tyre. Është momenti që të gjithë ne ta vendosim Afrikën e Jugut mbi gjithçka tjetër”.

ANC ishte partia e Nelson Mandelës, e cila e çliroi Afrikën e Jugut nga sundimi i aparteidit në vitin 1994. Partia Kongresi Kombëtar Afrikan e qeverisi vendin për 30 vjet me një shumicë komode.

ANC tha më herët të dielën se po fillonte negociatat me të gjitha partitë kryesore në një përpjekje për të formuar qeverinë e parë të koalicionit kombëtar të Afrikës së Jugut.

Sekretari i Përgjithshëm, Fikile Mbalula, tha se partia ishte e hapur për negociata me të gjitha partitë, madje edhe me opozitën kryesore në vend, Aleancën Demokratike, e cila ka udhëhequr kritikat për vite me radhë kundër Kongresit Kombëtar Afrikan. Shumë analistë e cilësojnë koalicionin me partinë opozitare së variantin më të qëndrueshëm. Partia Aleanca Demokratike u rëndin e dyta me 21% të votave, çka nënkupton se të dy partitë do të kishin shumicën e duhur për të qeverisur.

Koalicioni qeverisës duhet të formohet sa më parë pasi Parlamenti i ri i Afrikës së Jugut duhet të zgjedhë një president brenda 14 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.

Zgjedhjet u panë si një referendum i drejtpërdrejtë ndaj qeverisjes 30 vjeçare të Kongresit Kombëtar Afrikan. Kjo parti mbart meritat e çlirimit të Afrikës së Jugut nga regjimi shtypës dhe racist i aparteidit, duke i fituar zgjedhjet e vitit 1994, ku morën pjesë në votime të gjitha racat. Megjithatë, gjatë 20 viteve të fundit, kjo parti ka përjetuar një rënie të vazhdueshme të popullaritetit të saj.

Afrika e Jugut është një shembull udhëheqës për kontinentin dhe botën në zhvillim dhe nga fundi i vitit do të marrë presidencën e Grupit të 20 vendeve të pasura dhe në zhvillim, i vetmi shtet afrikan në atë grup.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat