Krasniqi: Shpresoj shumë në të ardhmen e Kosovës - Bota Sot
Krasniqi: Shpresoj shumë në të ardhmen e Kosovës

Zvicra

E premte, 17 gusht 2018

Krasniqi: Shpresoj shumë në të ardhmen e Kosovës

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 13:58
Drejtoresha e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, Albana Krasniqi

Drejtoresha e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, Albana Krasniqi ka dhënë opinionin e saj për ngjarjen e rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, integrimin e shqiptarëve në Zvicër, përfshirjen e tyre në politikë si dhe për të ardhmen e Kosovës.

”Më kujtohet gëzimi dhe lumturia e shqiptarëve të Zvicrës, që e kishin pritur atë ditë që prej një kohe shumë, shumë të gjatë… më kujtohen thirrjet e gëzimit dhe lumturisë, e pastaj boritë e makinave, valëvitjet e flamurit nëpër rrugët e Gjenevës, por edhe nga pak nëpër rrugët e të gjithë Zvicrës atë ditë”, thotë Krasniqi në një intervistë për Radio Televizionin frankofon të Zvicrës.

Sipas saj, shqiptarët bëjnë pjesë në peizazhin zviceran sepse ndodhen aty që prej viteve ’60, pasi është një popullsi që po hyn fort në këtë peizazh që prej një kohe të gjatë.

”Mendoj se ajo që ka luajtur një rol shumë pozitiv në këtë projektim te shqiptarëve të Zvicrës drejt të ardhmes duke u ndjerë helvetikë me të drejta të plota, është pikërisht kjo pavarësi e Kosovës, sepse me këtë pavarësi, pati një jetë më pas”, thekson Krasniqi.

Një prej çështjeve që Krasniqi trajton është edhe përfshirja e shqiptarëve të Zvicrës në politikë.

”Ka gjithmonë e më shumë shqiptarë në këshillat komunalë nga të gjithë krahët politikë. U befasova kur pashë në votimet e fundit në Gjenevë se edhe ato parti që mendohej se nuk e tërhiqnin këtë lloj publiku kishin gjithashtu njerëz që ishin shumë aktivë me to. Për votimet federale, mendoj se kjo kërkon pak më shumë pjekuri, më shumë kohë sepse duhet ditur se është brezi i dytë dhe brezi i tretë që përfshihet me partitë politike dhe jo brezi i parë që ka qenë më tepër i orientuar tek mbijetesa sesa tek zhvillimi personal”, thotë Krasniqi në këtë intervistë.

Ndërkohë, e pyetur për problematikat që shoqërojnë aktualisht Kosovën, Krasniqi thotë se ”ka ende shumë për të bërë”.

”Mendoj se shumë gjëra janë bërë, nuk duhet harruar se është një vend që del nga një luftë e përgjakshme, që vuan ende nga traumat, por që ka dëshirë të mësojë të administrojë, jo vetëm vendin, por dhe ekonominë. Shpesh tentojmë të harrojmë që është një vend që jo vetëm doli nga lufta, por edhe nga 50 vjet komunizëm, pra, nga ekonomia socialiste”, thotë Krasniqi duke shtuar se shpresonte te rinia që në pjesën më të madhe ka një arsimim perëndimor.

Sipas saj, rinia duhet të shfaqet dhe të përparojë në nivelet e ndryshme të qeverisjes.

Pyetjes për një ndryshim të mundshëm të territoreve në Kosovë, Krasniqi i përgjigjet negativisht.

”Nuk mendoj kështu sepse pavarësia e Kosovës është një çështje e mbyllur tashmë. Kosova është e njohur edhe me përfaqësimin e territorit të saj në flamurin kombëtar dhe mendoj se Zvicra është vendi që do ta kuptonte më mirë këtë gjë, sepse ne mund të jetojmë dhe të ndërtojmë shumë mirë së bashku”, thekson Krasniqi.

”Po, ekziston vullneti i elitave politike dhe i popullit. Unë isha vetë atje me Komisionin Federal të Emigracionit për të parë nga afër minoritetet, atë serb, rom, e tjerë dhe konstatuam se atje ka me të vërtet vullnet, por, nuk duhet ta nxjerrim nga konteksti i Ballkanit, pasi konteksti ballkanik është me të vërtetë i rrëmujshëm, ka popuj apo vende që janë në kërkim të identitetit të tyre, pra, për këtë arsye duhet ta përfshijmë në kontekstin rajonal”, përfundon Krasniqi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test