Festa e Flamurit bashkon gjithë shqiptarët në Winterthur

Zvicra

Festa e Flamurit bashkon gjithë shqiptarët në Winterthur

Nga: Valbona Miftari Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 17:16
SH.K.A „DARDANIA“, si gjithënjë edhe kësaj here shkëlqeu në festën e Flamurit

Për nder të Ditës së Flamurit tonë kombëtar, në Hotel Zentrum Töss në Winterthur edhe sivjet në mënyrë dinjitoze, SH.K.A „Dardania“  organizoi një program të pasur artistik, me këngë, valle dhe recitale të përgaditura enkas për këtë festë të rëndësishme kombëtare. Në këtë manifestim morën pjesë disa qindra vetë – shumica familje nga rrethina e Winterthurit por nuk munguan edhe mysafirët nga pjesët e tjera të Zvicrës.  

Festa e pavarësisë së Shqipërisë fillojë me një performancë vallëzimi enkas për 28 Nëntorin, të kryesuar nga koreografja Albulena Kqiku e cila sapo u ngjit në skenë me katër fëmijë të vegjël dhe pushtoi zemrat e publikut. Ky inskenim i pregaditur me aq mjeshtëri e dashuri i solli më tutje në skenë të gjithë anëtarët e Dardanisë të cilët u rreshtuan për ta kënduar himnin kombëtar. Pas intonimit të himnit në skenë u paraqit moderatorja e mbrëmjes Valbona Miftari, e cila përshëndeti të pranishmit dhe foli për rëndësinë e 28 nëntorit të vitit 1912 si dhe për ngjarjet që pasuan më vonë, që Shqipëria përkundër të drejtës së saj historike për të jetuar bashkë vazhdon edhe 105 vjet pas shpalljes së

Pavarësisë të jetojë e ndarë në 6 shtete e madje e rrezikuar me ngushtimin e mëtejmë të hartës së saj.

Image

Ajo vazhdoi; megjithatë prapë se prapë nëntori mbetet muaji historik shqiptar, edhe për faktin se në muajin nëntor populli shqiptar kujton me mburrje dhe krenari edhe ngjarjet e tjera të mëdha, shfaqjen publike të UÇK-së, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, Kongresin e Manastirit si dhe ardhjen e Skënderbeut në Prishtinë.

Programi vazhdoi me përshëndetjen për mysafirët specialë të mbrëmjes si për; perfaqësuesen e konsullit të Ambasadës së Kosovës në Cyrih z. Albulena Berisha, kryetarin e LAPSH-it  për Zvicër z. Nexhat Malokun, kryetarin e LAPSH-it për kantonin Cyrih, shkollën shqipëtare të vallëzimit „Shota“ në Zvicër, në krye me z. Agron Bajramin si dhe në mungesë për drejtorin e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, z. Ridvan Muratin, i cili për shkak të angazhimeve private e profesionale nuk kishte mundur të jetë prezent por i cili kishte dërguar një letër urimi për Dardaninë.

Zonja Albulena Berisha si dhe z. Nexhat Maloku morën fjalën në shenjë falenderimi e respekti për SH.K.A. „Dardania“ si dhe për të vënë në pah edhe njëherë rëndësinë e festës së Flamurit si dhe peshën e këtyre dy instuticioneve për shqiptarët në Zvicër. Z. Maloku edhe njëherë bëri apel tek prindërit për ti dërguar fëmijët në mësimin plotësues shqip.  

Pastaj mysafirët i përshendeti nikoqiri i mbrëmjes, gjegjësisht kryetari i shoqërisë kulturore dhe artistike „Dardania“ z. Shefqet Cakolli i cili falenderoi publikun madhështor i cili edhe kësaj radhe si gjithmonë ishte këtu për të festuar së bashku festën më të rëndësishme të kombit. Ai megjithatë ndër të tjera shprehu skepticizmin e tij real për situatën politike mbarëshqiptare, rrezikun e kombit nga politikanët e saj duke përfunduar fjalimin e tij me thënjen brilante të Faik Konicës "Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët". 

I tërë programi ishte i ndarë në dy pjesë: pjesën artistike dhe pjesën argëtuese. Pjesa artistike filloi me një valle instrumentale, valle kjo e  ekzekutuar nga dy voglushë të  orkestrës së shoqërisë “Dardania”, edhe atë nga Ledion Shillova dhe Dorart Ahmeti, për të vazhduar më tej me këngën: “O Flamur me dy krena”, këngë kjo premierë të cilën e kënduan: Hamit Shillova dhe Istref Tahiri të përcjellë nga orkestra. Më tutje në skenë erdhi grupi i të vegjëlve të shoqërisë „Dardania“ me një valle gjithashtu premierë: Vallja e„Buburrecit“ me kostumografi speciale dhe paraqitje tejet të bukur e cila e bëri publikun shumë për vete. 

Image

Vallja: e „Tropojës“, (premier) luajtur nga grupi i mesëm i shoqërisë „Dardania“ e bëri publikun gjithashtu të shpërthejë në duartrokitje. 

Më pas në skenë doli grupi mysafir i mirënjohur i shkollës së vallëzimit "Shota" me dy valle dhe një këngë si gjithnjë me një paraqitje brilante e cila vërtet zgjoi tek publiku edhe kësaj radhe emocione të veqanta. 

Programi artistik vazhdoi me një këngë për shoqërinë Dardania, këngë kjo e kënduar nga: Hamit Shillova dhe grupi i orkestrës, pastaj me një valle instrumentale të ekzekutuar nga Sami Musa si dhe me vallen "Baresha”, luajtur nga grupi kulturor “Air Star“” nga Raperswilli, të cilët poashtu ishin të mrekullueshëm. Grupi "Air Star" dëshmoi që rruga e suksesit për ta është e garantuar.  

Programin artistik e pasuroi dhe recitali "Betohemi në flamur"  të autores Valbona Miftari e interpretuar nga vajzat e talentuara; Ulpiana Miftari, Bade Elshani, Medina Ajdini, Elsa Krasniqi, Djellona Kurtishi dhe Diana Miftari, të cilat me recitimin e tyre bënë publikun të duartrokisë gjatë. Me përmbajtjen e recitalit vajzat treguan që edhe fëmijët mërgimtarë ndonëse të lindur jashtë atdheut e duan shumë flamurin kombëtar dhe janë krenarë me të po aq sa prindërit. 

Edhe vallja;  e ”Qingjit ” premierë e luajtur nga grupi i të vegjëlve si dhe vallja: e “Vendlindjes” e luajtur nga grupi i të rriturve me çka e zuri vendin e parë në festivalin “Hasi Jehon“ në Gjonaj më 2012, u përcillen me duartrokitje frenetike nga publike. 

As kësaj radhe nuk munguan mirënjohjet të cilat në shenjë respekti për përkushtimin ndaj kësaj shoqërie kryetari Shefqet Cakolli u ndau gazetarit të Albinfos; z. Sevdail Tahiri në shenjë respekti për përkrahjen e shoqërisë nga ky portal, Qëndrim Sopi dhe Aurora Ismaili, vallëtarë të zellshëm shumëvjeqarë të shoqërisë si dhe familjes Miftari e cila ndonëse e kyqur relativisht vonë është angazhuar shumë për këtë shoqëri, theksoi kryetari Cakolli. Emocione të veqanta shkaktoi falenderimi i z. Cakolli për të bijën Albulenën koreografen e shoqërisë e cila siq tha ai, është rritur në skenë dhe e cila është elektromotori kryesor i kësaj shoqërie. Edhe krenaria shumë shpesh përcillet me lotë, kjo i ndodhi edhe z. Cakollit i cili me emocionet që i shpërthyen na dëshmoi edhe njëherë se kush ka vajza, botën ka. Një buqetë e bukur me lule përfundoi në duart e Albulenës e cila poashtu u emocionua nga fjalët mbresëlënëse të babait. 

Manifestimi vazhdoi pastaj me pjesën argëtuese me këngëtarët nga Kosova, Burim Gjilani dhe Armend Bitonia të cilët me variacionet e muzikës së tyre popullore dhe argëtuese e bënë atmosferën vërtet madhështore. 

Shoqëria Kulturore dhe Artistike „Dardania“ as kësaj radhe nuk i harroi sponsorët  që po ndihmojnë këtë qendër të kulturës si; Delta Finanz, Cakolli Group, Mataj Garage, Neosana, Autoteil, City Taxi, dhe Autokug, si dhe gjithë ekipin organizativ të cilët rolet e tyre i kryen me përgjegjësi makimale, duke mos i harruar as gratë që gatuan ushqimet tradicionale dhe bënë që të ndihet shija e kuzhinës shqiptare mu sikur për pak qaste të ndodheshim në atdheun tonë të shtrenjtë.

Me urimet më të ngrohta, me dëshirën për një Shqipëri të dinjitetshme, për një të ardhme të ndritur për të gjithë shqiptarët, pa ndasi partiake, fetare, krahinore a sociale, me dëshirën e kahmotshme për bashkimin kombëtar, shoqëria Dardania, u uroi të gjithëve edhe njëherë  Gëzuar Festën kombëtare të Flamurit, dhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat