AAK distancohet nga Muharrem Shabani, Shabani hesht

Zgjedhjet 2014

AAK distancohet nga Muharrem Shabani, Shabani hesht

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 08:38

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Vushtrri ka reaguar ndaj, siç e kanë quajtur, “fenomenit të këtyre ditëve në Asamblenë Komunale të Vushtrrisë”, ku disa asambleistë po nënshkruhen si pjesë e Grupit të AAK-së.

Ymer Haradinaj, kryetar i Degës së AAK-së në Vushtrri, bën të ditur se identifikimi i tillë me AAK-në bëhet me qëllime përfitimi.

Në reagim thuhet se këta asambleistë të udhëhequr nga Muharrem Shabani, pasuar nga Sabri Ferati, Bahrije Pllana dhe Mentor Ferizi, nuk janë më pjesë e asambleistëve të AAK-së, se nuk përfaqësojnë interesa të AAK-së dhe nuk mund të flasin në emër të grupit të AAK-së/. Muharrem Shabani, Rrahim Ajeti, Sabri Ferati , Bahrije Pllana dhe Mentor Ferizi në zgjedhjet e fundit lokale janë zgjedhur asambleistë nga lista e kandidatëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë. Madje, Muharrem Shabani ishte kandidat për kryetar të komunës, ku hyri edhe në balotazh.

Por, në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, Muharrem Shabani u prezantua si aderim në PDK-së nga Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Këtë aderim të Shabanit e kanë mbështetur edhe Sabri Ferati, Bahrije Pllana dhe Mentor Ferizi, për dallim nga Rrahim Ajeti i cili ka qëndruar në AAK.

Ish kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Muharrem Shabani, ishte edhe pjesë e listës së PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, por nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur.

Në seancën jashtëzakonshme të 17 korrikut të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Shabani kishte fshirë akronimin PDK dhe aty kishte vendosur AAK. Kjo nga mediat u interpretua si kthim i tij në AAK, mirëpo reagimin i sotëm i degës së AAK-së e demantoi një informacion të tillë.

Veriu, nga burime të veta, kupton se Shabani dhe tre asambleistët që e mbështesin atë, janë nënshkruar si AAK për ta ruajtur përfaqësimin e tyre në Komitet për Politikë dhe Financa, ku është e deleguar Bahrije Pllana, mbështetëse e Muharrem Shabanit.

Nga këto burime mësohet se në mbledhjen e Kuvendit të Komunal të mbajtur sot, Muharrem Shabani u nënshkrua në listën e pjesëmarrësve si asambleist i PDK-së.

Shabani nuk ka pranuar të flas se cilit grup të asambleistëve i përket. Ai ka thënë se në momentin e duhur do të deklarohet për këtë

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat