Gjykata Kushtetuese, apo Gjykata për kundërvajtje!?

Zgjedhjet 2014

Gjykata Kushtetuese, apo Gjykata për kundërvajtje!?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 31 korrik 2014 Në ora: 09:27

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është bërë sikurse Gjykata për kundërvajtje. Ajo interpreton dhe vendos në përputhje me nenet e Kushtetutës, vlerëson Gani Geci, duke shtuar se, në Kosovë, Gjykatat janë politizuar, prandaj kemi nevoj për Gjykata Speciale.

“Gjykata Kushtetuese u bë si Gjykata për kundërvajtje dhe me thanë të drejtën këto veprime të luftës për pushtet po ma qojnë mallin si ajo puna hajde lujna mësusash. Gjykata nuk bazohet shumë në nënshkrime deputetesh të njërës apo tjetrës palë, sepse Gjykata interpreton nenet e Kushtetutës, dhe shteti ligjor i ka themelet në procedura dhe pavarësisht nënshkrimeve të shumicës ose pakicës, gjykata duhet të vendosë në përputhje me nenet e Kushtetutës”, thotë Gani Geci për gazetën “Bota sot”.

“Këtu te ne janë politizuar Gjykatat prej të parës e deri te e fundit që është Kushtetuesja, prandaj po kemi nevojë për Gjykata e Speciale apo duhet ta bëjmë edhe një gjykatë ndërkombëtare Kushtetuese”, pohon ai.

Kurse, analisti politik, Nehat Hyseni, thotë për gazetën “Bota sot” se, kërkesa e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, që iu dërgua më 29 korrik 2014, Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për refuzimin e kërkesës së PDK-së për kthimin në gjendjen "zero" dhe anulimin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës nga 2/3 e deputetëve dhe zgjedhja e Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe dy nënkryetarëve, mendon se është plotësisht e arsyeshme dhe ka respektuar Rregulloren e punës së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Sepse, Koalicioni LDK-AAK-Nisma përbën shumicën prej 2/3 të deputetëve të Kuvendit dhe PDK me më pak se 1/3 e deputetëve të Kuvendit vetëm se "çon pluhur" kot, sepse nuk e ka numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve për formimin e mazhorancës qeverisëse. Prandaj, kërkesa e tyre duhet anuluar, për të mos humbur kohën e çmuar që i nevojitet deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të miratuar një mori ligjesh dhe vendimesh që janë të domosdoshme për funksionimin normal të institucioneve të Kosovës”, thotë Hyseni.

Ai shton se, duke e ditur gjendjen reale dhe afrinë e madhe të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit me Presidenten Jahjaga, e cila në një mënyrë ia ka borxh postin e vet PDK-së, e sidomos atë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, dyshimet janë të mëdha se, pa marrë parasysh se kërkesat e PDK-së janë të paarsyeshme dhe joligjore e jokushtetuese, druajmë se, megjithatë Kushtetuesja do të vendosë në favor të saj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat