Mustafa: PDK po përgatit terrenin për koalicionin e ardhshëm

Zgjedhjet 2014

Mustafa: PDK po përgatit terrenin për koalicionin e ardhshëm

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 15:47

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës besojnë se deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën e kontestuar të 17 korrikut, do të arrijnë të gjejnë partnerë për formimin e Qeverisë. Rrustem Mustafa, anëtar i kryesisë së PDK-së, thotë se ka filluar përgatitja e terrenit për koalicion. Sipas tij, çdo ditë po binden zyrtarët e partive tjera se Kosovës i duhet një Qeveri e dal nga një koalicion i madh.
Përderisa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për seancën e 17 korrikut, Partia Demokratike e Kosovës nuk po rri duarkryq. Zyrtarë të kësaj partie thonë se janë në kontakte të vazhdueshme me zyrtarët e partive të bllokut LDK-AAK-Nisma, por edhe me zyrtarët e Vetëvendosjes. Anëtari i kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa thotë se PDK-ja po e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka filluar ta përgatis terrenin për koalicionin e ardhshëm.
“Ne veç kemi filluar me përgatit terrenin, të shohim mundësitë se si do ta bëjmë koalicionin dhe gjatë kësaj kohe sa kemi kohë, ne do të tentojmë që t’i zbusin qëndrimet subjektet politike dhe të krijojmë qeveri që do ta udhëheq vendin për katër vjetët e ardhshme”, tha Mustafa për transmetuesin publik.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati i kontaktuar nuk deshi të flas për hapat që PDK-ja do të ndërmarrë pas vendimit të Kushtetueses, duke thënë se duhet pritur vendimi, por ai nuk e mohoi se ka takime të zyrtarëve të ndryshëm me përfaqësuesit e tri subjekteve të bllokut, LDK-AAK-Nisma.

Burime brenda PDK-së bëjnë të ditur se zyrtarët e PDK-së janë të angazhuar sidomos për afrimin e qëndrimeve me AAK-në dhe Nismën. Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa thotë se është i angazhuar kah LDK-ja.

“Ne komunikim mbajmë me të gjithë, edhe me ata që s’do të hyjnë në koalicion ndoshta, por unë personalisht më shumë jam i preokupuar për koalicionin e madh. Shoh gjasa të mëdha për udhëheqjen e Qeverisë bashkë me një koalicion të madh”, tha Mustafa.
Sipas Mustafës, çdo ditë e më shumë po binden njerëzit nga të gjitha subjektet politike se në pozitën në të cilën gjendet vendi, nevojitet një Qeveri që e ka stabilitetin sa u përket numrave në Kuvend, për ta udhëhequr vendin në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat