Ymeri: Vendimi për masë të përkohshme, i gabuar

Zgjedhjet 2014

Ymeri: Vendimi për masë të përkohshme, i gabuar

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 10:17

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, aplikohet masa e përkohshme, pezullohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe kërkohet që Kuvendi të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e quan problematik.

Sipas Visar Ymerit, Gjykata Kushtetuese ka bërë gabim duke treguar se nuk është e lirë nga ndikimet e politikës ditore.

“Gjykata Kushtetuese ka bërë një lloj gabimi edhe ka tregu se nuk është e lirë nga ndikimet e politikës ditore, nuk mund ta paragjykoj vendimin përfundimtar, por normalisht se i zgjedhuri duhet ta respektojë”, thotë Ymeri në një intervistë për transmetuesin publik.

Subjekti të cilit ai i takon, në seancën konstituive ka abstenuar, kur i propozuari i koalicionit LDK- AAK- NISMA për Kosovën, Isa Mustafa, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ymeri thotë se nëse nuk ka marrëveshje politike me koalicionin nuk do të votohet as qeveria, dhe se Vetëvendosje do të mbetet në opozitë, pasi që sipas tyre, pa parimet e paracaktuar nga këta të fundit “rrezikon”, siç shprehet ai, të vazhdojë qeverisja e ardhshme pa ndryshim të politikave nga ajo e kaluara.

Sipas tij, të mërkurën, një ditë para seancës konstituive, është arritur marrëveshje verbale, kurse në takimin para seancës të liderëve të bllokut dhe atij të Vetëvendosjes, nuk u nënshkrua një dakordim i tillë.

“Të mërkurën kur kemi arritur dakordimin. Të nesërmen pas takimit, kur është dashtë të nënshkruhet ata kanë heqë dorë dhe e kanë kthyer diskutimin në pikën fillestare”, deklaron Ymeri.

Ai ka shtuar se të gjitha propozimet e tyre kanë rrjedhë nga dakordimet mes tyre gjatë takimeve, kurse vetë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që çështja e dialogut të drejtohet nga Vetëvendosje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat