Ja teksti i draft-marrëveshjes së koalicionit LDK- AAK-Nisma dhe VV: Gjithçka vlen për dy vite!

Zgjedhjet 2014

Ja teksti i draft-marrëveshjes së koalicionit LDK- AAK-Nisma dhe VV: Gjithçka vlen për dy vite!

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 20:55

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka përpiluar një dokument me të cilin synon të arrij marrëveshje me partitë opozitare LDK-AAK-Nisma, me qëllim të formimin e Qeverisë së re. Në këtë dokument janë paraqitur kushtet e VV-së në këmbim të votës së tyre.

Më poshtë mund ta lexoni tekstin e plotë të draft marrëveshjes:

Marrëveshje e Parimeve ndërmjet koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje

Pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit 2014, më shumë dhe më shpejt se kurrë më parë Republika e Kosovës duhet të shpëtohet nga kapja e shtetit dhe korrupsionit. Njëkohësisht duhet t’i hapet rruga zhvillimit ekonomik që sjell punësim dhe politikave qeveritare transparente e llogaridhënëse ndaj Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës.

Të përshtatur ndaj interesave shtetërore dhe nacionale, si dhe ndaj të drejtave e nevojave qytetare, subjektet e koalicionit LDK-AAK-Nisma, në partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje zotohen se Qeveria e re do të mbështesë dhe sigurojë:

I. Dialog parimor, kualitativ dhe të përgatitur mirë i cili nënkupton:

1) Vlerësimin e dialogut të deritashëm më Serbinë të zhvilluar gjatë viteve 2011-2014 përmes një komisioni hetimor parlamentar:

2) Dërgimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venedikut për vlerësimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut:

3) Fillimin e dialogut me Departamentin për Zgjerim të Bashkimit Evropian për obligimet e Kosovës në procesin përmbajtjesor integrues drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke përfshirë këtu edhe dialogun më BE-në për dialogun me Serbinë:

4) Lëvizja Vetëvendosje merr përsipër të udhëheq procesin e dialogut:

5) Vendimet për çështjen e dialogut merren përmes mekanizimit të konsensusit të të katër subjekteve politike nënshkruese të kësaj marrëveshje.

II. Zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e kualitativ e i cili nënkupton:

1) Vlerësimin e tërë procesit të privatizimit për! mes krijimit të një komisioni hetimor parlamentar:

2) Investimin në rritjen e vlerës së Trepçës (së cilës i dedikohet një ligj i posaçëm) si dhe të KEK-ut e PTK-së:

3) Vendimet për këta gjigandë ekonomikë të Kosovës dhe për privatizimet e mundshme në të ardhmen merren përmes mekanizimit të konsensusit të të katër subjekteve politike nënshkruese të kësaj marrëveshje.

III. Luftimi i Korrupsionit dhe krimit të organizuar e i cili nënkupton:

1) Sundimi i ligjit nuk negociohet. Ligjet do të zbatohen me përpikëri dhe përkushtim nga të gjithë zyrtarët e secilit institucion shtetëror:

2) Korrupsioni do të luftohet çdo kund e tërë kohën, duke filluar aty ku është më i larti dhe më i rëndi. Do të aprovojmë ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ligjin antimafia dhe ligjin antikorrupsion:

3) Agjencionet e pavarura shtetërore dhe ndërmarrjet publike do të çlirohen nga militantët dhe agjent partiakë.

Pas dy viteve të kësaj Qeverie të re, subjektet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje do të ulen për të vlerësuar nëse janë arritur objektivat dhe janë plotësuar kushtet që vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat