Hyseni: PDK-ja u kapë për një fije kashte

Zgjedhjet 2014

Hyseni: PDK-ja u kapë për një fije kashte

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 12 korrik 2014 Në ora: 12:26

Pas betejës së Hashim Thaçit për ta marr mandatin e Qeverisë ata u kapen “për një fije kashtës” dhe po kërkojnë postin e kryetarit të Kuvendit, thotë analisti politik Nehat Hyseni.

“Në momentin kur PDK-ja dhe Hashim Thaçi me "ekspertët" juridik të tyre, pas një beteje këmbëngulëse në të cilën të gjitha aftësitë profesionale dhe shkencore i vunë me servilizëm absolut në shërbim partiak, megjithatë u bindën se e humbën betejën për marrjen e mandatit të qeverisjes "Thaçi 3", ata filluan të kapen, si thonë në popull, "për fije të kashtës" dhe filluan ta kërkojnë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës”, vlerëson Hyseni, për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, tani i kanë orientuar të gjitha aktivitetet reth bindjes së opinionit se vërtetë atyre u takon ky post.

“Madje, ata kanë paraqitur edhe kandidatin e tyre për këtë post, Arsim Bajramin, si shpërblim për angazhimin e tij sizifian për "sqarimet shkencore" reth termit "fitues i zgjedhjeve", duke pretenduar të drejtën e PDK-së për mandatar të formimit të qeverisë së re, edhepse nuk mund ta formojnë shumicën minimale prej 61 deputetëve”, thekson Hyseni.

Hyseni thotë se, tani ata përpiqen për ta fituar këtë post, si i thonë fjalës, "më mirë pak se hiç", ose "kur nuk ka shi, bën edhe breshëri".

“Në këtë fushatë, gjithashtu PDK i ka mobilizuar "ekspertët" e vet. Por, edhe këto përpjekje janë të kota. Sepse, edhe postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ashtu si atë të Kryeministrit, e merr partia apo koalicioni që siguron shumicën minimale prej 61 deputetëve”, shton ai.

Ai thotë se, në këtë rast, koalicioni PDK ka gjithsej 37 deputetë dhe nuk ka gjasa as me minoritetet që ta formoj shumicën e domosdoshme.

“Kurse, koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja VV, pa votat e minoriteteve, mund ta formojnë shumicën prej 61 deputetësh dhe mund ta zgjedhin Kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës pa kurrfarë problemi”, thotë Nehat Hyseni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat