Ja 7 pikat e Donika Gërvallës për kthesën e LDK-së

Zgjedhjet 2014

Ja 7 pikat e Donika Gërvallës për kthesën e LDK-së

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 18:30

Donika Gërvalla ka vazhduar edhe sot me deklarata për LDK-në dhe Isa Mustafën. Ajo sot ka dalë me 7 pika se si duhet të kthehet LDK dhe qeverisja stabile në Kosovë. Ja postimi i plotë i saj në Facebook.

Një vendim imagjinar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

7 pika për një kthesë të LDK-së dhe për një qeverisje stabile në Kosovë.

1. I hiqet besimi udhëheqjes së LDK-së, të drejtuar nga Isa Mustafa për shkak të strategjisë katastrofale parazgjedhore, e cila çoi në një humbje dramatike të zgjedhjeve. Besimi i hiqet gjithashtu për shkak të strategjisë edhe më katastrofale pas zgjedhjeve. Udhëheqja e LDK-së ka tentuar të shesë shpirtin e LDK-së dhe parimet e saj për disa poste udhëheqëse të saj.
Besimin për drejtimin e LDK-së deri në zgjedhjet e reja, ky Këshill i Përgjithshëm ia jep një grupi të përbërë prej 20 vetash të përbërë nga drejtues të deritanishëm, të cilët nuk mbajnë përgjegjësi vendimtare për katastrofën e shkaktuar, personalitete me autoritet në jetën shoqërore dhe të afërta me LDK-në, figura të reja që mund ta nxjerrin LDK-në dhe vendin nga kriza e tanishme. Transaparenca e plotë e marrjes së vendimeve duhet të jetë e garantuar brenda këtij forumi të përkohshëm. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i humbur.
2. Në konspiracion të plotë dhe duke anashkaluar të gjitha strukturat vendimmarrëse të LDK-së, një rreth shumë i ngushtë i udhëheqjes së LDK-së ka vendosur kapitullimin total të Lidhjes Demokratike të Kosovës para një konstalacioni krejtësisht jostabil dhe pjesërisht kriminal. Ky veprim është i drejtuar kundër LDK-së dhe votuesve të saj. Këshilli i Përgjithshëm nuk e jep miratimin e tij për ekzekutimin e këtij puçi intern, i cili si rezultat do të kishte eleminimin e LDK-së si faktor politik serioz në Kosovë.
3. Nuk pranohen bisedimet e deritanishme të udhëheqjes së LDK-së për pengimin tepër të nevojshëm të një qeverie „Thaçi 3“, sepse ato në njërën anë nuk mund ta arrijnë këtë synim legjitim dhe në anën tjetër provokojnë zgjedhje të reja. Pas gabimeve të rënda të udhëheqjes aktuale të LDK-së, me këto zgjedhje do të rrezikohej shkatërrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Janë të domosdoshme dhe të realizueshme negociata të reja, të cilat do të kenë si synim një qeverisje të mirë dhe stabile të Kosovës dhe jo ndarjen e posteve të rëndësishme mes një grupi të vogël.
4. Me rezultate fillestare deri në mbledhjen e parë të Kuvendit më 17 korrik 2014, dhe rezultate përfundimtare deri në fund të korrikut, LDK.ja do të parashtrojë një bazë stabile për një koalicion stabil nën drejtimin e LDK-së. Pretendimin e saj për qeverisjen e vendit, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund t’ia dorëzojë as Ramush Haradinjat dhe askujt tjetër. Kjo si të ishte shkelje flagrante e besimit që i është dhënë nga votuesit.
Alternativat ndaj kursit shkatërrimtar janë të shumta. Me hezitimin e saj për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, udhëheqja e tanishme ka dështuar dhe ka humbur besimin e votuesve. Të atyre që e kanë votuar, por edhe të atyre që për shkak të strategjisë së dobët parazgjedhore, kanë refuzuar të dalin për të votuar.
Kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj, i cili në këto zgjedhje mori 9% të votave, duhet të dëshmojë seriozitetin e e tij dhe të pranojë rolin udhëheqës të LDK-së, e cila ka dalë nga zgjedhjet shumëfish më e fortë sesa partia e tij. Do të ishte fundi i tij politik, nëse ai nuk e mban fjalën e dhënë para zgjedhjeve dhe hyn në një koalicion qeverisës me Thaçin.
5. Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë javëve të ardhshme do të kërkojë nga anëtarët dhe simpatizantët e saj vërtetimin e besimit të dhënë. Këtë do ta bëjë në dialog direkt me qytetarët në të gjithë Kosovën për të rivendosur besimin e humbur ndaj udhëheqjes së tanishme si dhe për ta përgatitur LDK-në për zgjedhje të reja, nëse ato do të duhej të mbaheshin. Do të ftohen në këtë dialog kontribuesit e vjetër dhe të rinj të LDK-së, duke përfshirë këtu të gjithë ata deputetë të suksseshëm nacional dhe komunal, të diskriminuar sistematikisht para zgjedhjeve nga udhëheqja e tanishme e LDK-së.
6. Një LDK e ripërtërirë dhe evropiane konspiracionin e qarqeve të ngushta do ta zëvendësojë me bashkëpunimin dhe dialogun e gjerë. Ajo do t’iu kthehet parimeve të mishëruara nga Kryetari Rugova në vend të mungesës së parimeve të gjahtarëve të posteve.
7. Lidhja Demokratike e Kosovës do të analizojë rezultatet e dialogut të zhvilluar brenda dhe jashtë LDK-së dhe do të zgjedhë në shtator një udhëheqje të re me zgjedhje të rregullta, gjithëpërfshirëse dhe të përgatitura sipas standardeve evropiane. Zgjedhje, në të cilat delegatët e Kuvendit nuk do të ftohen si në regjimet e vjetra vetëm për të pranuar vendime të marra në qarqe të ngushta, por për të diskutuar hapur dhe për të marrë vendime të bazuara në diskutimet dhe vullnetin e delegatëve dhe të strukturave partiake që qëndrojnë pas tyre. Lidhja Demokratike e Kosovës evropianizimin e Kosovës do ta bëjë duke filluar nga vetja. Stabilizimin e Kosovës dhe reformimin e partisë në një parti evropiane me demokraci të brendshme, LDK-ja do ta bëjë me të njëjtën vendosmëri , siç e ka udhëhequr para 20 vitesh luftën për liri dhe pavarësi të vendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat