Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së miraton koalicionin. Beqiri: Të gjithë jemi dakord që të mos ketë qeveri Thaçi 3

Zgjedhjet 2014

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së miraton koalicionin. Beqiri: Të gjithë jemi dakord që të mos ketë qeveri Thaçi 3

Nga: Mimozë Lakna Më: 11 korrik 2014 Në ora: 17:38

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar marrëveshjen e arritur për koalicionin qeveritar LDK-AAK-Nisma. Me 84 vota për dhe 5 abstenime, anëtarët e KP të LDK-së i kanë thënë po koalicionit të arritur me 10 qershor ndërmjet LDK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Po ashtu në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, është vendosur që Isa Mustafa të jetë i nominuar i koalicionit për kryetar të Kuvendit.
Pas mbledhjes e cila zgjati rreth 1 orë, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të
Kosovës, Ismet Beqiri tha se me 84 vota për Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së i ka thënë po koalicionit me AAK-në dhe Nismën për formimin e qeverisë së ardhshme.

“Ne sot kishim mbledhjen e radhës së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku në rend të ditës ishte marrëveshja e ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën e nënshkruar më 10 qershor ndërmjet liderëve të tri subjekteve politike.

Sot Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka përkrahur, më lejoni t`ju them që kanë qenë 84 vota pro, 6 abstenime, dhe asnjë votë nuk ka qenë kundër.

Njëkohësisht në mbledhjen e sotme ne si Këshill i Përgjithshëm edhe pse me statut parashihet që kryeministrin dhe kandidatin për president e propozon Këshilli i Përgjithshëm”,tha Beqiri.

Ai shtoi, se Këshilli po ashtu ka marr vendim që Isa Mustafa të jetë kandidat për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Ne duke qenë një parti e cila kultivon demokraci, ne kemi dalë edhe në Këshill të Përgjithshëm me propozimin që kandidat për kryetar të parlamentit të Republikës së Kosovës të jetë z. Isa Mustafa dhe edhe kjo është përkrahur. Mund të ju them me përgjegjësi të plotë që ka qenë një mbledhje e Këshillit në një atmosferë jashtëzakonisht të mirë me diskutime të pakta”,shtoi ai.

Sipas Beqirit, Armend Zemaj e Arben Gashi janë në mesin e deputetëve që janë regjistruar në listën e grupit parlamentar LDK-AAK-Nisma për Kosovës së bashku me të gjithë deputetët e tjerë të LDK-së.

“Z. Zemaj është në mesin e të gjithë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që e kanë nënshkruar listën të cilën sot ne e kemi dorëzuar, unë personalisht e kam dorëzuar në administratën e kuvendit të Kosovës. Të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përjashtim të zonjës që nuk është në Kosovë por që ka dërguar deklaratë e shkrim përmes Fax-it, të 30 deputetët e LDK-së e kanë nënshkruar formimin e grupit parlamentar LDK-AAK-Nisma, në mesin e tyre është edhe z. Zemaj dhe z. Gashi”,u shpreh ai.

Beqiri theksoi se partnerët e koalicionit janë duke i përfaruar qëndrimet me Lëvizjen Vetëvendosje për të mos pasur më qeveri Thaci3.

“Ne jemi duke biseduar, jemi të interesuar që të gjitha këto subjekte politike që po bisedojnë që të mos ketë qeveri Thaçi 3. Kjo është e rëndësishme dhe unë mendoj që edhe ne si tri subjekte politike edhe Vetëvendosja do të reflektojmë karshi interesit të vendit e interes më të madh të vendit nuk ka se sa që të mos ketë qeveri Thaçi 3. Ne besojmë që në ditët në vijim do të gjendet rrugëzgjidhja dhe do t`i përafrojmë edhe më shumë qëndrimet tona ndërmjet tri subjekteve dhe Lëvizjes Vetëvendosje”,shtoi Beqiri.

Ai potencoi se grupi parlamentar më i madh në Kuvendin e Kosovës është grupi LDK-AAK-Nisma me 47 deputet, ndërsa për momentin grupin parlamentar e përfaqëson z. Isa Mustafa.
Po ashtu Beqiri tha se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori vendim për mbajtjen e zgjedhjeve në degën e LDK-së në Prizren para se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme brenda LDK-së në vjeshtë.

“Ne sot morëm edhe një vendim që në degën e Lidhjes Demokratike në Prizren të mbahen zgjedhjet partiake duke e ditur se atje ka edhe zhvillime të tjera dhe mund të ketë edhe zgjedhje, ne e kemi pasur si prioritet që edhe dega e LDK-së në Prizren t`i mbaj zgjedhjet para mbajtjes së zgjedhjeve brenda LDK-së në vjeshtë, por ajo që është e rëndësishme, ne i kemi hapur rrugë zgjedhjeve në Prizren dhe besojmë që ato do të mbahen diku në shtator”,u shpreh Beqiri.





Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat