Ja kush janë ministrat e LDK-së në qeverinë Haradinaj!

Zgjedhjet 2014

Ja kush janë ministrat e LDK-së në qeverinë Haradinaj!

Nga: M.Lakna Më: 30 qershor 2014 Në ora: 10:57

Gazeta “Bota sot” ka arritur t`i mësoj emrat e ministrave të mundshëm të koalicionit LDK-AAK-Nisma.
Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës do të merr në udhëheqje shumicën e ministrive, ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen ndërmjet tre liderëve. Përveç postit të kryeministrit, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pritet do t`i takojnë dy ministri.

Një burim i besueshëm i gazetës “Bota sot”, bën të ditur se Lutfi Haziri ose Agim Veliu do të jetë zëvendëskryeministër nga LDK-ja, në qeverinë e ardhshme. Po i njëjti burim bën të ditur se ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ardian Gjini do të udhëheqë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, derisa nënkryetari i AAK-së Blerim Shala do të jetë ministër i Integrimeve Evropiane. Burimi bënë të ditur se anëtari i kryesisë së LDK-së Kujtim Shala do të jetë Ministër i Arsimit, ndërsa Sali Bashota ose Vehbi Miftari do të jetë ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Sipas këtij burimi, ministër i Punëve të Jashtme do të jetë Albin Kurti, nëse Vetëvendosje bëhet pjesë e koalicionit qeverisës e nëse jo, me këtë ministri do të udhëheqë Jeton Kelmendi.

Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes apo Ministria e FSK-së do të udhëhiqet nga Anton Quni ose Jeton Kelmendi.

“Kandidat për zëvendëskryeministër janë Agim Veliu ose Lutfi Haziri, Blerim Shala do të jetë do të jetë ministër i Integrimeve Evropiane, Ardian Gjini do të jetë Ministër i Energjetikës, Kujtim Shala do të jetë Ministër i Arsimit, ministër i Kulturës do të jetë Sali Bashota ose Vehbi Miftari, Ministër i Jashtëm do të jetë ose Albin Kurti nëse do të futet në koalicion ose Jeton Kelmendi. Ministër të Mbrojtjes apo të FSK-së, Jeton Kelmendi ose Anton Quni”, pohon ky burim.

Ndërsa, burime të tjera bëjnë të ditur se ish deputeti Shkumbin Demalija nga AAK-ja mund të jetë ministër i Punëve të Brendshme.

Ndryshe në marrëveshjen e dalë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, subjektet politike, LDK-AAK-Nisma ishin marrë vesh vetëm për postet kryesore.

“Ne, bashkërisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë i përbashkët për kryeministër. Kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe presidenti në harmoni me Kushtetutën. Nisma do të përfaqësohet me një zëvendës kryeministër. Të gjitha përgjegjësitë e tjera politike dhe institucionale do të ndahen proporcionalisht sipas fuqisë politike në Kuvend”, thuhet në marrëveshjen e tre liderëve, Mustafa, Haradinaj e Limaj.

Ky koalicion është përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ende nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë pjesë e qeverisjes apo jo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat