Vetëvendosje: Ose plotësoni kushtet tona, ose nuk ju përkrahim

Zgjedhjet 2014

Vetëvendosje: Ose plotësoni kushtet tona, ose nuk ju përkrahim

Më: 26 qershor 2014 Në ora: 22:45

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj thotë se tashmë është e qartë që pikat që janë dërguar nga kjo parti, duhet të përkrahen nga partitë tjera të bllokut për formimin e qeverisë. Ai nuk përjashton që Vetëvendosje të mbetet në opozitë, nëse nuk përmbushen pikat e tyre e as që të shkohet në zgjedhje.

Ai ka thënë se nëse nuk merren parasyshë parimet e Vetëvendosjes, atëherë as kjo qeveri nuk do ta ketë votën e VV’së.

“Po shohim që të gjejmë një gatishmëri për pika të përbashkëta. Nuk jemi duke kërkuar që t’u imponohemi, por të kemi disa pika me shkrim. Ka një vullnet të të gjitha palëve të gjendet zgjidhja. Janë duke punuar të gjitha partitë. Nëse nuk merren parasyshë parimet tona, sigurisht se nuk mund të kemi votë për këtë qeveri”, ka thënë Molliqaj në emisionin “Interaktiv” të KTV’së.

Ai ka thënë se me të kuptuar rezultatet e zgjedhjeve më 8 qershor, VV menjëherë është mbledhur për të gjetur një zgjidhje, që PDK mos ta krijojë më qeverinë.

“Si subjekt politik, meqenëse kemi hyrë në fushatë që PDK kursesi nuk bën të fitojë, ka qenë një reflektim i joni i menjëhershëm, qysh natën e parë se duhet të ketë një zgjidhje që pamundëson qeverisjen e sërishme nga PDK. Për të vazhduar tutje që VV të mbështesë një koalicion të mundshëm, kemi nevojë për politika të reja. Problemi i Kosovës, nuk është PDK ose Hashim Thaçi, por është politika që kanë përfaqësuar ata”, ka thënë Molliqaj.

Ndërkaq Lutfi Haziri nga LDK, ka thënë se të gjitha takimet është biseduar për parimet e përbashkëta, programin e përbashkët që i ofron këto zubjekte.

“Ajo që kam parë deri në takimin e fundit, deri sot, nuk ka pasur asnjë problem të theksuar. Jemi angazhuar për ti nxjerrë në pah përparësitë. Besoj shumë se katërshja dhe takimi i liderëve do të mbahet, do t’i përafrojë edhe më shumë idetë. Duhet me ndodhë veprime më të shpejta se që kanë ndodhë”, ka thënë Haziri.

Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë pavarësisht të kaluarës, e përbashkëta e koalicionit është largimi nga pushteti i Thaçit.

“Jemi në pikën ku kjo do të jetësohet brenda pak ditësh”, ka thënë ajo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat