LIVE REZULTATE: Numërohen 99.62% e votave, PDK fiks 5% para LDK-së

Zgjedhjet 2014

LIVE REZULTATE: Numërohen 99.62% e votave, PDK fiks 5% para LDK-së

Më: 8 qershor 2014 Në ora: 07:00

(E plotësuar) - Komisioni Qendror Zgjedhor ka numëruar 99,62% të votave të mbledhura nga qendrat e votimit të mbarë Kosovën për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën ditën e djeshme.
Deri me tash janë numëruar 2365 vendvotime nga 2374 sa janë gjithsej.
Në bazë të këtyre rezultateve të publikuara në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së, PDK ende mban primatin, me 30.72% të votave të grumbulluara, fiks 5 për qind më shumë se LDK, e cila ia doli të merrte 25.72% të votave të qytetarëve të Kosovës.
Partia e tretë e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 13,51% të votave, e ndjekur nga AAK e cila nuk ia doli të arrinte 10 për qindëshin (9.58%).
Pas AAK-së u radhit partia e cila në këto zgjedhje garoi për herë të parë, NISMA për Kosovën, e cila e kaloi pragun zgjedhor për vetëm 0.24 për qind të votave (5.24%).
Ndërsa, partia e politikanit më të pasur në vend (së paku zyrtarisht), AKR e Behgjet Pacollit, nuk ia doli që të kalonte pragun zgjedhor prej 5 për qind për 0.35 për qind (4.65%) që nënkupton se nuk do të jetë e përfaqësuar në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.
(Shiko djathtas rezultatet zyrtare nga KQZ)

Mbyllen vendvotimet, KQZ: Votuan 43 % e votuesve

Janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Nuk dihet ende s’e cka ka ndodhur saktësisht me njoftimin se në disa fshatra të Skenderajt janë mbushur kutitë e votimit me vota të vjedhura.
Zyrtarët e KQZ’së kanë thënë se janë mbyllur në tërë Kosovën.

KQZ ka publikuar në ueb-faqen e saj të dhënat e dalje së votuesve deri në mbylljen e qendrave të votimit(Shiko djathtas).

“Përqindja e votuesve qe kane votuar në vendvotimet që kanë dërguar të dhëna43,50%”, shkruan në faqen e saj.

DnV: Deri tash kanë dalë afro 29 % e votuesve

Demokracia në Veprim ka thënë se deri tash kanë dalë diku deri në 29 % e personave me të drejtë vote.

Ata e kanë bërë këtë shifër të ditur në një konferencë për shtyp.

KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 26,49%

​Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet e votimeve në mbarë territorin e Kosovës deri në orën 15:00.

Sipas rezultateve të publikuara nga ueb-faqja e KQZ-së, thuhet se deri në këto momente, nga të dhënat e mbledhura nëpër të gjitha vendvotimet, në votime kanë dalë mbi 26.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

DnV: Pjesëmarrja në votime deri në ora 12:00 është 14 %

Udhëheqësi i koalicionit Demokracia në Veprim, Driton Selmanaj ka thënë se deri më tani janë raportuar 3500 raste në 523 vendvotime.

Shumica prej kanë pasur të bëjnë me persona të cilët kanë asistuar te më shumë se një person e poashtu edhe të atillë të cilët nuk kanë mundur të gjejnë emrat në listë. Megjithatë Selamanj ka thënë se deri më tani nuk ka pasur incidente të cilat do të mund t’i prishnin imazhin këtyre zgjedhjeve.

Rastet më të rënda deri më tani kanë ndodhur në Deçan kur një person brenda në shkollë është sjellë disa herë duke u bërë presion njerëzve për kë të votojnë ndërsa në Vitomiricë të Pejës, nja kandidatë i PDK-së, për deputet ka qëndruar për një kohë të gjatë jashtë qendrës së votimit.

Ndërkohë deri më tani ka pasur 1904 thirrje të personave të cilat nuk kanë gjetur emrat e tyre në listë të votimit. 561 raste kur një person ka asistuar në më shumë se një person dhe 24 raste të fotografimit të votës që është e ndaluar nga KQZ.

KQZ publikoi rezultatet e daljes në votime në shumicën e komunave

Komisioni Qendrorë Zgjedhorë, ka bërë të ditura edhe rezultatet e daljes së votuesve deri në orën 11. Sipas KQZ-së është Komuna e Mamushës e cila prinë me dalje të një numri më të madh të votuesve me 17.49 përqind, ndërsa komunat në veriun e Mitrovicës janë me numër më të vogël të daljes së votuesve deri në orën 11.

Më poshtë po ua sjellim rezultatet e daljes së votuesve deri në orën 11:00.

Gllogovc 11.83%, Kamenicë 8.80%, Klinë 8.6%, Kllokot 8.22%, Lipjan 12.86%, Malishevë 10.81%, Mamushë 17.49%, Mitrovicë e Jugut 9.34%, Novobërdë 8.61%, Obiliq 9.02%, Partesh 7.09%, Pejë 9.19%, Podujevë 10.06%, Prishtinë 12.22%, Prizren 9.28%, Rahovec 7.32%, Ranillug 9.42%, Shtërpcë 11.5%, Shtime 11.05%, Zubin Potok 5.58%, Skënderaj 12.54%, Suharekë 10.04%, Viti 8.54%, Vushtrri 9.30%.

Të vdekurit nuk janë fshirë nga listat e votuesve

Në qendrën e votimit në shkollën fillore Nazim Gafurri, qytetarët kanë hasur në lista të pa pastruara të votuesve.
Një qytetarë ka treguar se teksa po kërkonte emrin e tij për të votuar ka hasur në emra të dy personave që i njihte e që tashmë kanë vdekur. BS

Ka ​mungesë të fletëvotimeve në krejt Kosovën

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se në të gjithë Kosovën ka mungesë të fletëvotimeve, kjo për arsye të ” shkaqeve ekonomike”, siç shprehtë ajo.
“Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim që të shtypen më pak fletëvotime se sa ka votues në Kosovë, pra nuk janë 1 milionë e 789 mijë e diçka, mirëpo janë më pak, pra janë 90 përqind e numrit të votuesve, pra aq ka fletëvotime, prandaj çdo qendër e votimit ka numër më të vogël të fletëvotimeve, sepse ne konsiderojmë se, pas analizave që janë bërë, asnjëherë nuk kemi dalje më të madhe se 50 për qind, prandaj edhe fletëvotimet janë shtypë në numër më të vogël, sepse thjeshtë për shkaqe ekonomike”, shprehet Daka.

Kryetarja Daka nuk ka komentuar për parregullsitë e mundshme duke thënë se do të përgjigjet në konferencë Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

Kurti: Fati i politikës, në duar të qytetarëve

Procesi zgjedhor në Kosovë, është i vlefshëm për demokracinë e shumë i rëndësishëm për shtetndërtimin dhe Republikën e Kosovës. Kështu ka thënë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti , pas kryerjes së votimit nga ana e tij.
Kurti ka thënë se qytetarët me votën e tyre do të vendosin për fatin e politikës së shtetit të Kosovës.

“Sot qytetarët vendosin, ata e përcaktojnë fatin e politikave të shtetit dhe të politikanëve në institucion. Tash demokracia nuk është e mbyllur në salla e në dhoma të ndërtesave të institucioneve, por ajo është e hapur anë e mbanë Kosovës për të gjithsecilin pa dallime. Sot qytetarët masivisht po bëhen pjesëmarrës dhe vendim marrës për të ardhmen e shoqërisë sonë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se vota e qytetarëve është e sigurt. Ai më tutje ka ftuar qytetarët e Kosovës të dalin sa më shpejtë dhe sa më shumë në zgjedhje, pasi që sipas tij, komisionarët dhe vëzhguesit, KQZ-ja dhe të gjithë zyrtarët e përfshirë në procesin zgjedhor, do të kujdesën që gjithçka të shkojë mirë.

KQZ: Deri në ora 11:00 kanë votuar 9.46 % e qytetarëve


KQZ ka njoftuar se deri në ora 11:00 kanë votuar 9.46 % e të votuesve në gjithë territorin e Kosovës. Valdete Daka gjatë një konference për media tha se deri më tash nuk ka pasur ndonjë parregullsi që do të mund ta dëmtonte procesin zgjedhor.

Agani: Kosova do ta kalojë edhe këtë test

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka hedhur votën në shkollën fillore “Naim Frashëri” në kryeqytet, duke u lutur që i gjithë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe i rregullt, për të dëshmuar edhe njëherë se Kosova di të organizojë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.
Agani është lutur që këtë test Kosova ta kalojë ashtu siç ka ditur të kalojë edhe teste dhe sprova tjera gjatë viteve të pasluftës.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që në mënyrë të kulturuar të dalin dhe të votojnë për të preferuarit e tyre, kështu që të nxjerrim isntitucione legjitime dhe të pranuara ndërkombëtarisht.

Jahjaga: Nëse sot votohet mirë, dita të mira na presin

Obligimin e saj qytetar e ka kryer edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka votuar në qendrën ë votimit, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Presidentja iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe demokratike, sepse, sipas saj, kështu i i ndihmojnë vendit të tyre që të përcaktojë të ardhmen e shtetit.

“E kreva obligimin tim qytetarë dhe ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës në çdo cep të shtetit tonë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë obligimin e tyre kushtetues dhe ligjor se vetëm kështu do t’i ndihmojmë vendit dhe do të përcaktojnë të ardhmen e shtetit të tyre. Këto zgjedhje përcaktojnë shkallën demokratike të vendit tonë. Nëse dita e sotme është e mirë, atëherë ditë të mira do ta presin dhe ditën tonë”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Voton Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kryer obligimin e tij si qytetar i Kosovës dhe ka votuar në shkollën e lagjes ku edhe jeton, në qendrën e votimit 1927E në shkollën Fillore “Shkëndija”, në Hajvali.

Për Pacollin, kjo është edhe dita më e bukur që prej kur voton në Kosovë.

Votuan Limaj e Krasniqi

Në të njëjtën qendër votimi, në Shkollën Fillore Faik Konica, kanë votuar kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe kryetari I Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi.
Gjatë votimit të tij në këtë qendër, kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ftoi qytetarët që të dalin për të votuar.
”Me heshtje nuk mund të zgjidhet asgjë prandaj qytetarët duhet të dalin dhe të votojnë”, tha Limaj duke iu bërë apel edhe komisionarëve, dhe gardianëve që të kryejnë punën e tyre si duhet. Ndërsa gjatë votimit , kryetari i këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jaku Krasniqi tha se qytetarët duhet të votojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit demokratik./BS

Shpend Ahmeti,i kënaqur me interesimin e qytetarëve për të votuar

Në qendrën e votimit në shkollën fillore Faik Konica ka votuar kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Me këtë rast, Ahmeti tha se është mirë që qytetarët qysh në orët e hershme të mëngjesit kanë filluar ta kryejnë obligimin e tyre për të votuar.

Ndryshe, në qendrën e votimit në Shkollën Fillore Faik Konica, po vërehet një interesim i i madh qytetarëve për të votuar. Deri më tani nuk është vërejtur parregullsi përveç një qytetari që është dashur t`i ndërroj teri vendvotime derisa e ka gjetur emrin e tij.

Voton Hashim Thaçi

Në shkollën fillore Faik Konica në kryeqytet, ka votuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai me këtë rast tha se zgjedhjet janë një sfidë e radhës për Kosovën.
Thaçi me këtë rast tregoi shenjën simbolizuese të PDK-së, apo siç e quajti ai “Gishtin Demokratik”
“Këto zgjedhje janë një sfidë e re për Kosovën,unë votova 58 sikurse krejt qytetarët e Kosovës. As edhe kësaj radhe nuk e harroj gishtin demokratik”,deklaroi ai.

Mustafa uron që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të mira

Para pak çastesh në qendrën e votimit në Shkollën Fillore “Emin Dukraku” në Prishtinë, ka votuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai ka bërë thirrje për zgjedhje të qeta e demokratike dhe që qytetarët të dalin në zgjedhje për të votuar.

Mustafa, ka uruar që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të mira.

Voton Haradinaj

Procesit të votimit i është bashkangjitur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka dhënë votën e tij në Qendrën e Votimit në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, “Dr. Ali Sokoli”, në Prishtinë.

Qendrat e votimit janë hapur sot që nga ora 7 e mëngjesit dhe do të jenë të hapura deri në ora 19, ndërsa procesit të votimit pritet t’i bashkohen 1 milion e 782 mijë e 54 qytetar me të drejt vote.

Daka zyrtarisht hap qendrat e vendvotimit

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka votuar në qendrën e votimit 1907E në vendvotimin 01R. Vota e saj ka qenë e para në këtë vendvotim ku edhe janë hap zyrtarisht qendrat e votimit.

Daka ka thënë se e ka e ka shfrytëzuar të drejtën për votim dhe shpreson që të gjithë qytetarët të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ajo shpreson se gjithçka të shkoj në rregull.

Hapen qendrat e vendvotimeve

Në gjithë territorin e Kosovës janë hapur 798 qendra të vendvotimit me gjithsejtë 2 mijë e 374 vendvotime, ku 1 milion e 782 mijë e 454 persona do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e parakohshme.

Qytetarët do të vendosin se cilës nga tridhjetë subjekte politike të certifikuara në KQZ, do t’i japin votën. Ata do të votojnë pesë kandidatë për Kuvendin e Kosovës, nga 1235, sa edhe janë.

Kosova voton

Mbi 1 milion e 782 mijë qytetarë me të drejtë vote do të kenë sot mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 19 të mbrëmjes do të hapen 798 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 374 vendvotime.

Kurse, numri total i personave me të drejtë vote është 1 milion e 782 mijë e 454 veta.

Për pjesëmarrje në zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 30 subjekte politike, prej tyre, 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat të pavarur dhe 4 koalicione me gjithsej 1 mijë e 235 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse. Por, prej tyre subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje mund të garojnë për vetëm 100 ulëse, pasi që 20 të tjera janë të garantuara për komunitet pakicë. Nga këto ulëse të garantuara, 10 u takojnë subjekteve nga komuniteti serb dhe 10 të tjera komuniteteve minoritare jo serbe.

Sikurse edhe në proceset e kaluara zgjedhore, votimet do të vëzhgohen dhe monitorohen nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Evropian dhe disa ambasada të vendeve të ndryshme në Prishtinë.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar, sipas të dhënave jo përfundimtare të KQZ-së, është mbi 40 mijë.

Për mbarëvajtjen e procesit, nga aspekti i sigurisë është angazhuar Policia e Kosovës. Ndërkaq, për shkak të specifikave të veçanta në veriun e Kosovës, ajo do të ndihmohet edhe nga policia e EULEX-it, si dhe nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Gjithashtu, edhe organizimi i zgjedhjeve, sado që bëhet sipas ligjeve të Kosovës dhe rregullave të KQZ-së, në veri do të përkujdeset misioni i OSBE-së.

Ndërkaq, për pengimin dhe luftimin e parregullsive dhe manipulimeve, janë angazhuar edhe 100 prokurorë dhe gjykatës, të cilët do të jenë aktivë gjatë gjithë procesit. Dënimet për manipulim dhe ndërhyrje në proces, parashihen të jenë mjaft të ashpra.

Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit pasojnë aktin e vetë-shpërndarjes së legjislaturës paraprake që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit, partia fituese, përkatësisht kandidati i saj për kryeministër do të mandatohet nga presidentja, për të formuar qeverinë e re të Kosovës. Qeveria e Kosovës, zgjidhet nga Kuvendi me mbi 61 vota të deputetëve. Në rast se partia fituese dështon që të sigurojë mbështetjen e Kuvendit për formimin e qeverisë, më pas rastin për formimin e qeverisë do ta fitonte edhe partia që do të dalë e dyta për kah rezultati në zgjedhje.

Vështruar nga aspekti politik, bashkësia ndërkombëtare pret që Kosova të kalojë këtë proces në mënyrë të rregullt e demokratike, duke e cilësuar atë edhe si një test tjetër të demokracisë për shtetin më të ri evropian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat