Gashi shpërblen xhudistët dhe premton investime për klubin e xhudos

Xhudo

Gashi shpërblen xhudistët dhe premton investime për klubin e xhudos

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 18:36
Gashi shpërblen xhudistët dhe premton investime për klubin e xhudos

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka vizituar Federatën e Xhudos në Pejë, me ç ‘rast ka shpërblyer për punën dhe sukseset e tyre xhudistët Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, si dhe trajnerin e tyre Driton Kuka.

Nora Gjakova është shpërblyer me një çek prej njëzet mijë eurosh, Distria Krasniqi me katërmbëdhjetë mijë euro si dhe trajneri Dritan Kuka ka marrë dy shpërblime në vlerë prej dhjetë mijë dhe shtatë mijë eurosh.

Ministri Gashi ka thënë se pos për ndarjen e shpërblimeve, ai ka vizituar këtë federatë për të parë nga afër kushtet  me të cilat ballafaqohet ky klub.

Gashi:  Së shpejti do të investojmë në objektin e klubit të xhudos

“Ka një kohë të gjatë që është menduar dhe ideuar që ta kemi një qendër nacionale të xhudos, po për shkak, ndoshta të disa problemeve pronësore që kanë ekzistuar këtu në komunë të Pejës ka ngecur. Sido që të jetë, nuk ka asnjë arsyetim apo justifikim që ky projekt të ngecë edhe më tutje dhe ne jemi jashtëzakonisht të vendosur sot që bashkë edhe me komunën e Pejës, edhe me Ministrinë e Ambientit ta zgjidhim këtë problem një herë e përgjithmonë dhe të fillojmë sa më shpejt investimin në këtë objekt”, ka thënë Gashi.

Ndërsa trajneri Driton Kuka ka thënë se është i lumtur që takimet e tilla tashmë po mbahet në ambientet e federatës si dhe ka theksuar nevojën për investime në këtë klub.

Kuka: Kemi nevojë për investime

“Përveç sportistëve tanë tani në Pejë po frekuentojnë xhudistë nga mbarë bota për të ardhë për t’u stërvitur me kampionët tanë. Besoj që ministri u zotua sot që kjo punë nuk do të neglizhohet më tutje sepse ne jemi në vlugun më të madh të përgatitjeve për Lojërat Olimpike Tokio 2020, prandaj na nevojiten kushte pak ma të mira”, ka thënë Kuka.

Ndërsa Nora Gjakova, kampione në xhudo ka thënë se këto shpërblime janë motivim për sportistët dhe shpreson që ministria do të vazhdojë t’i përkrahë edhe në të ardhmen.

Gjakova: Shpërblimet dhe ligji për sport janë motivim për ne

“Këto shpërblime dhe ky ligj për sport është një motivim dhe një arsye që të punojmë edhe më shumë sepse rezultatet tona tani e tutje, në bazë të këtij ligji po përkrahen edhe financiarisht edhe kjo është shumë e rëndësishme që puna jonë të mos shkojë dëm edhe gjithmonë të mbështetet në mënyrë financiare”, ka thënë Gjakova.

Kurse xhudistja Distria Krasniqi u shpreh e lumtur që tashmë edhe MKRS po i përkrah sukseset e tyre.

Distria: Jam e lumtur që puna jonë po shpërblehet

“Është kënaqësi që sukseset tona po shpërblehen edhe po ashtu po mbështeten edhe nga Ministria edhe po shihet që puna jonë po vlerësohet”, ka thënë Krasniqi.

Në qershor të këtij viti, në Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, xhudistët Nora Xhakova dhe Distria Krasniqi fituan medalje të arta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat