Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur medalistin e bronztë nga Lojërat Olimpike Londër 2012, xhudistin Udo Legrand.
Francezi që ka përfunduar karrierën e tij në vitin 2015, po e viziton Kosovën me ftesë të organizatës Play International Kosova (PIK). Ai shoqërohej në takim nga Ana Landeret (PIK).
I pranishëm në takim ishte edhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj.
.Presidenti Hasani e falënderoi ish-xhudistin Legrand për vizitën që po i bënë Kosovës, derisa e njoftoi me procesin e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, të arriturat e sportit tonë, pas ndërkombëtarizimit, me theks të veçantë ato të xhudos.
Ndërkohë, drejtori Alaj e njoftoi me infrastrukturën sportive në vend, në veçanti me Qendrën Nacionale të xhudos, ndërtimi i së cilës tha se do të nis këtë vit në Pejë
.Legrand falënderoi presidentin Hasani për pritjen, derisa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me KOK-un dhe vetë xhudistët tanë.
Një ditë më parë, ai kishte takuar edhe kampionen olimpike nga Rio 2016, Majlinda Kelmendin dhe trajnerin e saj, Driton Kuka.
Në fund, presidenti Hasani i dhuroi librin debutimi i artë, kushtuar medaljes së artë të Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Rio 2016.