Baba i sportit të Kosovës!

Xhudo

Baba i sportit të Kosovës!

Nga: Kemajl Goca Më: 6 prill 2018 Në ora: 17:27
Driton Kuka

E kush tjetër përveç sportit të xhudos që e bën me medalje kalavesh shtetin e Kosovës. Driton Kuka, pa dyshim trajneri më i mirë shqiptar, gjithsesi nuk është e tepër të quhet edhe baba për sportin e Kosovës sepse deri me tash ka thyer të gjitha rekordet apo ka prurë të gjitha medaljet.  Kulmin e kishte arritur me medaljen e artë olimpike që e fitoi Majlinda Kelmendi në Rio në vitin 2016 dhe nuk e kanë ndërmend të ndalen.

Dhe sot askush nuk e ka të drejtën të ankohet dhe as të thotë, pse xhudo është në rangun e parë apo më të lart të shtetit tonë sepse nuk ka trofe që nuk kanë fituar. Driton Kuka ka krijuar një  gjeneratë të hatashëm dhe sot u pa në Antalia të Turqisë, kur Distria Krasniqi (52 kg), Nora Gjakova (57 kg) fituan medaljen e artë dhe aq me tepër Fjolla Kelmendi (48 kg), një yll i ri që po vjen, fitoi medaljen e argjendtë. Kuka kaloi të gjitha kufijtë e sukseseve dhe tani pa dyshim është baba për sportin e Kosovës.

Kjo mund të lidhet  edhe kësisoj, kur fëmija ka babin biznesmen të vyeshëm,  menaxhon situatën apo udhëheq një ndërmarrje me sukses, vazhdimisht duke u rritur, patjetër se duhet fëmija të kërkoj recetën prej tij. Edhe trajnerët në Kosovë duhet të shkojnë  te Driton Kuka dhe të kërkojnë recetën e gjithë këtij suksesit sepse Majlinda, as Distria, as Nora, as Fjolla nuk vijnë nga një planet tjetër, por janë rritur si gjithë të tjerët me ujë e bukë të shtetit të Kosovës!

Edhe Majlinda, edhe Distria, edhe Nora, edhe Fjolla janë të kësaj toke, por aty shihet puna e madhe dhe profesionale e Dritonit apo e një sistemit të regjimit ushtarak, kjo ka sjellë edhe majën e suksesit dhe secili shqiptar sot mburret e flet për të arriturat e këtij brezit që se ka kush!

Xhudo është sport nacional dhe shembull për të gjitha sportet se si duhet të punohet e të arrihet në piedestal. 

Kuka ka dëshmuar kulturën e tij sportive dhe ka bërë për vete edhe gjithë botën sportive, disa herë në Pejën piktoreske kanë ardhur shtetet e fuqishme dhe të kërkojnë formulën se si të përgatiten për sfidat e ndryshme. Garuesit e shteteve të ndryshme kanë qenë para një kohe në Pejë dhe kanë stërvitur së bashku me Majlindën dhe garues të tjerë, duke u munduar në një formë ta vjedhin edhe mjeshtrin e saj.

Duke u munduar të mësojnë nga Driton Kukaj, nga një trajner i formatit botëror, që e tërë bota shkruan dhe i duartrokasin.   Prandaj, këto suksese janë edhe një frymëzim për gjeneratat e reja në sportet e ndryshme. Kosova ka brumë dhe mund të arrijë shumë në të ardhmen edhe në sportet tjera, nëse punohet ashtu si duhet dhe menaxhohen edhe mjetet financiare, por edhe iu krijohen kushtet sportistëve sepse duhet të ndiqet shembulli i xhudos, që sot është shndërruar në një makineri të pandalshme për shtetet më të fuqishme të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat