KOK-u bën kategorizimin e sporteve, Majlinda Kelmendi iu prinë sportistëve

Xhudo

KOK-u bën kategorizimin e sporteve, Majlinda Kelmendi iu prinë sportistëve

Më: 7 mars 2018 Në ora: 21:22
Majlinda Kelmendi

Pas një pune më shumë se një muajshe të Komisionit për vlerësimin e kategorizimit të sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës kanë publikuar të mërkurën kategoritë në të cilat janë përfshirë federatat, sportistët dhe trajnerët.

Kategorizimi i sporteve është ndarë në katër kategori, A, B, C dhe D. Në kategorinë A janë vendosur Federata e Xhudos e Kosovës dhe ajo e Karatesë nga sportet individuale dhe katër federatat ekipore (futbolli, hendbolli, basketbolli dhe volejbolli).

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se komisioni ka bërë punë të madhe në kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve dhe se pas një kohe të gjatë po përfundon një çështje që ka zgjatur me vite.

“Pas një periudhe të gjatë dhe pas një pune jashtëzakonisht të madhe që kanë bërë komisionet e ndryshme, disa prej të cilëve  i takojnë edhe pjesëtareve të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës të përbërjes së kaluar, por që ka përfunduar para disa ditëve dhe sot do ta bëjmë prezantimin e këtyre kategorive dhe kjo rrjedh edhe si rezultat i kërkesës së Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, që këtë kategorizimin t’ia besoj pikërisht përfaqësuesve të KOK-ut si organizatë qendrore, kulmore dhe joqeveritare”, ka thënë presidenti Hasani, në konferencën për media.

Hasani theksoi se me kategorizimin e sporteve, Kosova po afrohet me vendet që e kanë të zhvilluar sportin.

Kryetari i Komisionit për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, Shasivar Haxhijaj, duke lavdëruar punën e komisionit, tha se kategorizimi është në fazën përfundimtare të saj.

“Sipas rregullores kategorizimi i sporteve bëhet në katër kategori. Në kategorinë A, sipas dokumentacioneve dhe kritereve që kanë ardhur në Komitetin Olimpik të Kosovës, komisioni e ka përcaktuar Federatën e Xhudos së Kosovës, e cila ka marrë 83.1 pikë, Federata e Futbollit të Kosovës 77.37, Federata e Karatesë së Kosovës e treta 70.79, Federata e Hendbollit të Kosovës 67.80, Federata e Basketbollit të Kosovës 66.90, Federata e Volejbollit të Kosovës 65.94, këto janë gjashtë federata që janë në kategorinë e parë”, tha Haxhijaj.

Shtatë federata tjera e përbëjnë kategorinë e dytë si: Atletika, boksi, noti, pingpongu, skitaria, tenisi dhe peshëngritja. Federatat tjera ndodhen në kategorinë C, kurse e vetmja në kategorinë D, është Federata e Minigolfit.

Haxhijaj më pas bëri të ditur edhe vlerësimin për sportistët, ku kampione në këtë kategori është Majlinda Kelmendi, me 100 pikë, për shkak të medaljes së artë olimpike. Nga xhudoja, renditjen e pasojnë edhe Distria Krasniqi (40 pikë), Nora Gjakova (40), Akil Gjakova (37.5), Loriana Kuka (20), Laura Fazlija (10), Shpat Zeka (10). Nga karateja është Herolind Nishevci me 60 pikë, kurse nga bodybuildingu vijnë Jetmir Goqi (35 pikë) dhe Gentiana Beqa (30 pikë).

Trajneri i xhudistëve, Driton Kuka, kampion olimpik, ka fituar 131.5 pikë, bazuar në sukseset e xhudistëve të lartëpërmendur. Në kategorizimin për trajnerë ndodhen edhe Shqipe Zogiani (30 pikë), trajnere e Herolind Nishevcit dhe Burim Ramiqi (17.5 pikë) e Dren Beqa (15 pikë), trajnerë të bodybuildingut.

Federatat tjera nuk janë vlerësuar për shkak të mos zhvillimit të aktiviteteve të tyre në vitin e kaluar, kurse disa për shkak të mos marrjes së licencës nga MKRS.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe Gazmend Maxhuni, anëtarë i Komisionit, derisa pjesë e Komisionit ishin edhe Agron Kuka, Shqipe Zogiani dhe Kushtrim Krasniqi.

Kategorizimi është bërë në bazë të Rregullores për kategorizimin e Sporteve, sportistëve dhe trajnerëve.

KATEGORIZIMI I SPORTEVE

Kategoria “A”

1. Federata e Xhudos e Kosovës              83.10 pikë

2. Federata e Futbollit e Kosovës             77.37 pikë

3. Federata e Karatesë e Kosovës            70.79 pike

4. Federata e Hendbollit e Kosovës          67.5 pikë

5. Federata e Basketbollit e Kosovës        66.9 pikë

6. Federata e Volejbollit e Kosovës           65.49 pikë

Kategoria “B”

7. Federata Atletike e Kosovës                56.74 pikë

8. Federata e Boksit e Kosovës                51.55 pikë

9. Federata e Notit e Kosovës                  50.03 pikë

10. Federata e Pingpongut e Kosovës       47.99 pikë

11. Federata e Skitarisë e Kosovës           47.69 pikë

12. Federata e Tenisit e Kosovës              46.01 pikë

13. Federata e Peshëngritjes e Kosovës     45.1 pikë

Kategoria C

13. Federata e Shigjetarisë e Kosovës         44.55 pikë

14. Federata e Çiklizmit e Kosovës             44.4 pikë

15. Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës 43.66 pikë

16. Federata e Mundjes e Kosovës              41.9 pikë

17. Federata e Shahut e Kosovës                35.6 pikë

18. Federata e Boulingut e Kosovës             34.8 pikë

19. Federata e Bodybuldingut e Kosovës       34.55 pikë

20. Federata e Autosporteve e Kosovës         33.5 pikë

21. Federata e KickBoksit e Kosovës             32.2 pikë

22. Federata e Aeronautikes e Kosovës         28.2 pikë

Kategoria D

23. Federata e Minigolfit e Kosovës             16 pikë

Federatat që nuk janë vlerësuar

Federata e Taekwondosë e Kosovës, Federata e Pentatlonit Modern, Federata e Lundrimit, Federata e Kërlingut, Federata e Sportit Shkollor, Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, Federata e Bjeshkatarisë, Federata Sportive e Punëtorëve e Kosovës.

Kategorizimi i Sportistëve

Majlinda Kelmendi     Sportiste e merituar            100 pikë

Distria Krasniqi,        Sportiste ndërkombëtare        45 pikë

Nora Gjakova,        Sportiste ndërkombëtare        40 pikë

Akil Gjakova,        Sportist ndërkombëtare            37.5 pikë

Loriana Kuka,        Sportiste ndërkombëtare        20 pikë

Laura Fazlia,        Sportiste ndërkombëtare        10 pikë

Shpat Zeka,        Sportist ndërkombëtare            10 pikë

Herolind Nishevci,    Sportist botëror                60 pikë

Jetmir Goqi        Sportist botëror                   35 pikë

Gentiana Beqa        Sportist botëror                30 pikë

Kategorizimi i trajnerëve

Driton Kuka,        Trajner i xhudos                    131.5 pikë

Shqipe Zogiani,        Trajnere e karatesë           30 pikë

Burim Vraniqaj,        Trajner i bodybuildingut      17.5 pikë

Dren Beqa,        trajner i bodybuildingut            15 pikë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat