30 mijë euro për Majlinda Kelmendin

Xhudo

30 mijë euro për Majlinda Kelmendin

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 18:16
Pamje nga pritja e Majlindës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) dhe xhudistja Majlinda Kelmendi kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes financiare për përgatitjen e sportistes Kelmendi përgjatë ciklit olimpik për lojërat olimpike 2020, sipas të cilit MKRS-ja obligohet të ndajë mjete financiare në vlerë prej 30 mijë euro.

“Mjetet nga ana e MKRS-së për xhudisten kulminante Kelmendi ndahen nga kodi buxhetor i subvencioneve të sportit dhe do të barten në xhirollogarinë e Federatës së Xhudos të Kosovës, ndërkaq Komiteti Olimpik i Kosovës ndihmon në mënyrë të gjithanshme FXHK-në, e mbikëqyr respektimin e Kartës Olimpike nga ana e sportistes dhe trajnerit dhe e njofton MKRS-në për ecurinë e përgatitjes të sportistes përgjatë ciklit olimpik”, njofton Ministria e Sportit.

Sipas memorandumit, xhudistja Kelmendi obligohet që ta përfaqësojë vetëm Republikën e Kosovës në garat ndërkombëtare përgjatë ciklit olimpik, ta prezantojë Republikën e Kosovës në Ciklin Olimpik dhe t’i përgjigjet Republikës së Kosovës në xhudo sa herë që është e nevojshme t’i mbrojë ngjyrat e shtetit tonë.

Ministri Gashi vlerësoi se kjo mbështetje financiare për sportistët që arrijnë rezultate kulmore siç është rasti i medalistes olimpike Majlinda Kelmendi është një lloj mirënjohje nga shteti dhe një nxitje për prezantim e përfaqësim sa më cilësor të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare në fushën e sportit, e cila edhe ndihmon në ngritjen e shtetit tonë anekënd botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat