Bogujevci: Majlinda është maja e majës!

Xhudo

Bogujevci: Majlinda është maja e majës!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2017 Në ora: 16:36
Mehmet Bogujevci

Mehmet Bogujevci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, ka deklaruar se xhudistja Majlinda Kelmendi, është frymëzim për të gjitha sportet. Ai tha se është e jashtëzakonshme të shpallesh “Xhudistja më e mirë e sotme në Botë” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Një çmim që vështirë fitohet, por kjo u arrit falë sukseseve brilante të Majlindës. “Ky sukses i Majlindës, është maja e majës. Më andej nuk ka ku shkon. Është ylli i xhudos, ka arritur gjithçka që mund të arrihet: kampione e Evropës, e Botës dhe Olimpike.

Këto tituj ia vulosin vlerat. Pritet të bëhet edhe kampione për herë të tretë e botës”, tha Bogujevci.  Ish nënkampioni i botës në boks për amatorizëm në vitin 1978,  tha se rrallë lindin sportiste si Majlinda. “Është një sportiste që rrallë lind dhe lum ne që e kemi. Tanë anët e botës e përmendin Majlindën dhe Kosovën. Besojmë se do të fitojë titullin e tretë rresht të botës, do të ketë edhe medalje tjera nga garuesit tjerë. Është punë e mrekullueshme që po bënë Driton Kuka me Federatën e  Xhudos. Kuka një trajner botëror, ka treguar rezultate të mëdha me Majlindën. Ka bërë edhe përvojën e madhe ndërkombëtare, nuk ka kamp botëror që nuk ftohet me mbajt ligjërata dhe stërvitje. Kështu që Driton Kuka i ka arritur majet botërore si trajner.

Ka treguar vlerën e vet, ka bërë një Majlindë kampione dhe ka bërë edhe tjera garuese, si Nora Gjakova, Distria Krasniqi etj. të cilat janë në rrugën e Majlindës. Edhe këta djem si xhudisti Akil Gjakova, po ashtu edhe Fatos Tabaku, si trajner po e mëson zanatin nga një mjeshtër i madh siç është Driton Kuka. Kuka pos që është trajner i madh, po lë pas vete edhe pasardhës të mëdhenj, që është shumë me rëndësi për jetëgjatësinë e kampionëve dhe nivelin e lartë të xhudos. Ata janë bërë një ekip i fortë në krye me  kryetarin Agron Kukaj, gjithashtu një ekip i njerëzve profesionist, përveç që kanë mbështetje maksimale nga shteti kanë edhe mbështetje nga shumë sponsorë. Kur ka mjete nuk mungojnë edhe rezultatet”, tha Bogujevci për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat