Majlindë, dikur nuk të besonin!

Xhudo

Majlindë, dikur nuk të besonin!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 17 gusht 2017 Në ora: 12:00
Majlinda Kelmendi

Para tetë apo nëntë vjetësh disa nuk i besonin xhudistes Majlinda Kelmendit për sukseset që ajo vargonte në shumë gara ndërkombëtare, që nga Dyseldorfi e në Paris. Disave iu dukej e pabesueshme apo një gënjeshtër e ndrequr mirë dhe disa shtronin pyetje si mundet me kaq luftëra të jetë kampione e Evropës për të reja e kampione e Botës për te reja! Askujt nuk i shkoi mendja nga ata që dyshonin apo hezitonin se do t’i vijë dita dhe vetë do të mburren e të kërkojnë të fotografohen me Majlindën. Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, njeriu me shpirt fanatiku, me vendosmërinë dhe investimet e tija, gradualisht e ngriti Majlindën në maje të botës dhe i solli medaljen e artë olimpike shtetit më të ri në botë, Kosovës.  Mediat e shumta botërore ka vite që shkruajnë me të madhe për krenarinë tonë! Ndryshe ishe në vitin 2009 e 2010, disa nuk të besonin e mendonin se po gënjen me suksese.

Humbja në Londër, pra në Lojërat Olimpike në vitin 2012, kur ishe në fanellën e Shqipërisë, disa sigurisht menduan se është fundi i karrierës tuaj! Disa i fërkuan duart dhe madje thoshin, kjo është Olimpiadë, kajmaku dhe aty shihen vlerat! Madje me krenari e thoshin: U pa puna e saj! Por ndodhi e kundërta, u fuqizove me punën tuaj,  ke treguar talentin tuaj, me punë e djersën tuaj sot je në piedestalin më të lartë. Edhe Dritoni e di se kush Ju xhelozoi e nuk u besonin edhe atëherë kur shtypi botëror thurte elozhe për një pasuri që kishte Kosova e nuk e kanë shumë shtete me dhjetëra milionë banorë.

Shijove të gjitha trofetë e mundshme, nga titulli i Evropës, i botës dhe deri te arta olimpike! Të gjitha i arrite apo tani jeni sikurse një Cristiano Ronaldo apo një LIonel Messi. Jeni një shembull i brezit të ri, që sot kudo që shkojnë, në radhë të parë kanë krenarinë me Ju: E kemi kampionen olimpike, Majlindën! Tani krenaria apo trimëresha jonë po përgatitet për garën e madhe, për Kampionatin Botëror, që mbahet me 28 gusht e deri me 3 shtator në Budapest. Majlinda e përgatitur top me garueset tjerë si Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova. Majlinda  kurrë më e gatshme për të fituar titullin e tretë të botës.

Sot, është krenari e gjithë kombit shqiptar, e lakmojnë shumë shtete të mëdha botërore. Eh, sa kohë e keqe na ishte kur disa menduan se Majlinda po fiton në disa turne të pavlerë, por ato ishim me vlera të shumta  Por, sot shumica nga ata që dyshonin e kanë nga një fotografi kujtimi me kampionen olimpike! Por sot disa prej tyre e kanë gojën plot krenari për Majlindën. Ajo që nuk matet me asgjë është trajneri më i suksesshëm shqiptar, Driton Kuka, i cili kurrë nuk u mor me disa se çfarë thoshin në atëkohë, i grahi punës dhe ua mbylli gojën me suksese! Dikur nuk të besuan, menduan se po gënjen, sot krenohen me ty dhe vetëm te Ju i shohin medaljet olimpike!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat