Përgatiten në Slloveni e Austri, Majlinda starton me garën e Parisit

Xhudo

Përgatiten në Slloveni e Austri, Majlinda starton me garën e Parisit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 janar 2017 Në ora: 11:09
Majlinda Kelmendi e Driton Kuka

Sporti i xhudos i solli sukseset më të mëdha shtetit të Kosovës. Kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi me xhudiste tjera po stërviten aktualisht në Slloveni dhe pastaj do të vazhdojnë në Austri. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se përgatitjet po shkojnë mjaft mirë dhe nga dita e diel (me 8 janar) do të janë të gjithë në Mittersil të Austrisë, pra në Kampin Olimpik. Atmosfera është shumë e mirë,  xhudistet e xhudistët përgatiten me intensitet të shtuar që të jenë të gatshëm për garat që i presin gjatë këtij viti. Kuka tregon se çfarë stërvitin aktualisht në Slloveni: “Jemi në përgatitje bazike, edhe disa ditë po i afrohem fundit. Prej të hënës fillojmë fazën e dytë të përgatitjeve”. Majlinda është kampione olimpike dhe evropiane, Nora Gjakova është fituese e medaljes së bronztë evropiane, ndërsa Distria Krasniqi kampione evropiane U-23 dhe pa numëruar edhe sukseset tjera në turnetë e ndryshëm, dëshmon se viti 2016, ka qenë vit kulmor për xhudon. “Majlinda e Fjolla janë në Slloveni, tash arrijnë edhe 12 xhudistë tjerë. Ekipi po rritet:

Distria, Leutrimja, Nora, Akili, Loriana, Flaka Shpati etj.,” thotë ai. Pas Sllovenisë në Austri, çfarë do të ushtrohet? “Dalëngadalë do të dalim prej fokusit në përgatitje fizike e kondicionale. Do të fillojmë më shumë në aspektin teknik e taktik”, përgjigjet ai. Çfarë synoni në vitin 2017, kur kihet parasysh se si trajner keni thyer të gjitha rekordet? “Është e vërtetë që si trajner i kam fituar të gjitha trofetë, por puna vazhdon. Mendoj që si shtet i ri duhet të promovojmë vlerat që kemi sa më shumë”, thotë Kuka, duke paralajmëruar për garat që do t’i presin në javët e ardhshme. “Garat do të jenë në Sofje të Bullgarisë, mandej ‘Grand Slam-i’ në Paris që mbahet në shkurt”. Kuka e konfirmon edhe pjesëmarrjen e Majlindës në garën e “Grand Slam-it” në Paris, sipas faqes zyrtare të IJF-së, ajo do të zhvillohet me 11 shkurt. “Besoj që Majlinda do të startoj në Paris”, tha Kuka. 

A besoni se ky vit sërish do të jetë i xhudos dhe do të shpërthejnë edhe disa talentë? “Shpresoj që do ketë emra të rinj”, tha ai. Kuka flet edhe për kategorizimin e sportit: “Kategorizimi do të bëhet, kështu na është premtuar dhe nuk duhet të ndahen mjetet pa u ditë çfarë niveli ka një sport me kategoriozim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat