Krerët e vendit: Majlinda bëri historinë e re të sportit

Xhudo

Krerët e vendit: Majlinda bëri historinë e re të sportit

Më: 7 gusht 2016 Në ora: 22:38
Xhudistja Majlinda Kelmend

Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi i solli Kosovës medaljen e parë olimpike nga Rio de Janiero.

Personalitete të vendit i janë gëzuar triumfit të xhudistes kosovare, e cila fitoi medaljen e artë qysh në paraqitjen e saj të parë në ditën e dytë të Lojërave Olimpike në Rio de Janiero të Braizlit, ku  triumfoi në finale  kundër italianes Odette Giuffrida.

 Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar për fitoren e Majlinda Kelmendit, duke thënë se ajo tashmë personifikon historinë e re të sportit. Thaçi përmes Facebook-ut ka theksuar se me këtë fitore, Majlinda ka shënuar “ipon në politikën e jashtme të Kosovës”.

 “Krenar dhe përplot emocion me suksesin e Majlindës. Flamurin e Kosovës, para miliona shikuesve anekënd botës e flakëroi në ari. Si askush tjetër, Majlinda personifikon historinë e re të sportit dhe suksesit ndërkombëtar të Kosovës. Ne erdhëm si fitues në Rio dhe po kthehemi sërish fitues në Kosovë. Me këtë fitore, Majlinda shënoi ipon për politikën e jashtme të Kosovës. Urime të gjithëve!”, shkruan Thaçi.

Për kryeministrin Isa Mustafa, fitorja e medaljes së parë olimpike në olimpiadën e parë, tregon për fitoret e pandalshme të medaljeve të tjera nga futbollistët kosovarë. Mustafa e ka quajtur Majlinda Kelmendin “heroinë briliante” të Kosovës.

“Atë që shumë shtete nuk kanë arritur ta bëjnë gjatë dhjetëra vjet pjesëmarrjeje në Lojërat Olimpike, Kosova jonë e dashur, me heroinën e saj brilante, Majlinda Kelmendin, e bëri që në olimpiadën e parë. Kosova fitoi sot medaljen e parë olimpike si shtet i pavarur dhe sovran dhe jam i bindur se medaljet do të jenë të pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim. T’i gëzohemi së bashku këtij momenti historik. Majlinda është e Artë, Kosova është e Artë”, shkruan Mustafa në Facebook.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se Majlinda Kelmendi me firoren e medaljes olimpike ka bërë historinë.

“Majlinda Kelmendi bëri historinë. Ajo sonte në mënyrë brilante, siguroi medaljen e parë olimpike për Republikën e Kosovës. Majlinda rrëmbeu emocionet tona duke dhënë dëshmi se ajo me të rinjtë tanë dhe përkushtimin e trajnerëve dhe institucioneve, mund të regjistrojnë suksese që gjenerata të tëra i ëndërruan. Fitove për ne - faleminderit kampione! Tani fito për vete dhe për ne!”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat