Krasniqi ka një apel për Shpend Ahmetin!

Volejboll

Krasniqi ka një apel për Shpend Ahmetin!

Nga: Kemajl Goca Më: 5 gusht 2018 Në ora: 19:22
Naser Krasniqi

Infrastruktura sportive është e mirë në disa palestra, por jo edhe në disa prej tyre ashtu si e kërkojnë standardet ndërkombëtare.  Në  kryeqytetin e Kosovës përkatësisht në Prishtinë, kemi dy palestra sportive: “1 tetori” dhe Qendrën e Rinisë dhe të Sportit. Cilat prej tyre është në gjendje më të mirë, flet më së miri Naser Krasniqi, njohës i mirë i infrastrukturës sportive njëherësh trajner shumëvjeçar i volejbollit (më i suksesshmi nga paslufta), ish trajner i kombëtares së vajzave dhe ish-drejtor i ekipeve nacionale.

“Bota sot”: Cila është infrastruktura sportive në përgjithësi në palestrat sportive në Kosovë, e kënaqshme apo e mjerueshme?

Naser Krasniqi: Në Kosovë vitet e fundit është vërtet duke u investuar në shumë palestra sportive, si në ndërtimin e disa palestrave të reja në disa qytete dhe po ashtu investime po bëhen në riparimin e disa palestrave të mëdha ekzistuese në qytetet më të mëdha të Kosovës. Por në pyetjen e juaj se a është infrastruktura sportive në përgjithësi e kënaqshme, kisha me thënë se nuk është e kënaqshme fare.

“Bota sot”: Në Prishtinë, cilat nga palestrat ka infrastrukturën sportive më të mirë: ajo në “1 Tetori” apo në Qendrën e Rinisë?

Naser Krasniqi: Sa i përket infrastrukturës në dy palestrat sportive në Prishtinë, mund të themi se të dyja palestrave ju mungojnë shumë gjëra në mënyrë që t’i plotësojnë standardet e kërkuara si për gara kombëtare ashtu edhe ato ndërkombëtare. Të palestra e pallatit të Rinisë përkundër investimeve që janë bërë në vitin e kaluar në dysheme sportive (me standard FIBA Levele 1) si dhe në rregullimin e zhveshtoreve, problem numër një është mirëmbajtja e palestrës. Në Pallatin e Rinisë ka kohë që nuk funksionon fare sistemi i mirëmbajtjes adekuate të kësaj palestre e cila këto ditë pritet ti kaloj në menaxhim KK të Prishtinës me ligjin për kryeqytetin që ia mundëson një gjë të tillë.

Me marrjen e menaxhimit të kompleksit të Pallatit të Rinisë nga ana e KK të Prishtinës shpresojmë se do të kemi një menaxhim më të mirë në çdo aspekt edhe të palestrës sportive. Palestra sportive e pallatit ka mangësi të shumta edhe në funksionimin e ventilimit dhe ngrohjes, pastaj të ndriçimit të stërvjetruara dhe që shpenzon shumë energji elektrike sepse janë reflektor që janë vendosur qysh nga ndërtimi i Pallatit të rinisë, pastaj organizimi i aktiviteteve sportive ku ka shumë anomali rreth asaj se kush ka drejtë të zhvilloj aktivitetin e vet në këtë palestër etj. Krejt kjo na jep të qartë se në këtë palestër përveç investimeve kapitale në palestër të vogël, pastaj në palestrën e gjimnastikës dhe në zhveshtore ka mjaft nevojë edhe për investime të tjera të domosdoshme për mbajtjen e garave kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Bota sot”: Si është palestra “1 Tetori”?

Naser Krasniqi: Sa i përket palestrës “1 Tetori” është krejt figurë tjetër, duke marr parasysh se në këtë palestër para katër vitesh është ndërruar dyshemeja me investimet e MKRS-së dhe me ndihmën e federatës së basketbollit pak kohë më parë për nder të Kampionatit Ballkanik, janë bërë investime nga FBK ja në taolete në hyrje të palestrës dhe është rregulluar komplet ndriçimi në palestër si dhe janë vënë edhe perdet për mos me depërtuar ndriçimi natyral. Kjo palestër po ashtu këto ditë është duke u riparuar me disa intervenime në dysheme, investime të bëra nga një klub volejbollistik Prishtina Volley - femrat nëpërmes donatorit të saj “Ontexi MONT”. Krejt kjo tregon se në këtë palestër po bëhen investime të vazhdueshme edhe pse prapë ka mjaft mangësi që duhet të plotësohen.

Kësaj palestre i mungon ngrohja qendrore dhe ventilimi, pastaj i mungon izolimi i tavani i cili në këtë gjendje siç është palestra ka humbje të madhe të nxehtësisë si dhe ndërrimi i xhamave ekzistues me xhama termik e shumë e shumë elemente të tjera në mënyrë që kjo palestër t’i plotësoj kushtet për të zhvilluar aktivitete në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Një element pozitiv duhet të ceket në këtë palestër është se menaxhimi i kësaj palestre është në nivel shumë më të lart se në Pallatin e Rinisë, duke ju falënderuar gjithmonë drejtorit të kësaj qendre studentore që e menaxhon këtë palestër e ai është zotëri Fatmir Sfishta i cili ka shumë merita për funksionimin normal të këtij objekti.

Image

Palestra "1 Tetori"

“Bota sot”: Çfarë duhet investuar në infrastrukturë?

Naser Krasniqi: Ne të dy palestrat duhen investime në sistemin e ngrohjes dhe ventilimit pasi që ato janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e objekteve sportive si të dyshemes edhe të elementeve elektroteknike, gjithmonë duke marrë parasysh se dimri te ne është i gjatë dhe bash në këtë kohë kemi zhvillimin e aktiviteteve sportive në nivel kombëtar. Si element të dytë kisha me përmend edhe parkingjet të cilat do të jenë shumë të domosdoshme gjatë garave dhe se edhe parkingjet hynë në pjesën e infrastrukturës sportive dhe të cilat të këto dy palestra janë shumë të vogla.

“Bota sot”: Kush janë fajtorët e kësaj gjendje?

Naser Krasniqi: Fajtorët kryesorë për këtë gjendje është mungesa e menaxhimit ose mënyra e menaxhimit të këtyre palestrave. Në mungesë të këtij faktori sot e 18 vite jemi pa palestrën e madhe të Pallatit të Rinisë e cila sot e kësaj dite nga momenti i djegjes ka mbet si një fosil në mes të kësaj qendre dhe se nuk ka kurrfarë iniciative nga askush që kjo palestër gjigande të hynë në planet e riparimit dhe të jetë funksionale për gara bile ato ndërkombëtare. Prishtinës i mungon edhe një palestër e madhe sportive duke marrë parasysh rritjen e numrit të popullatës në kryeqytet dhe rritjen e numrit të klubeve sportive.

“Bota sot”: A mirëmbahen zhveshtoret?

Naser Krasniqi: Sa i përket zhveshtoreve si një element me rëndësi në pasqyrimin e kulturës së një populli, mund të them lirisht se nuk është e kënaqshme sepse nuk mirëmbahet nga stafi i obliguar për këtë gjë, kjo fare nuk vlen për Pallatin, “1 Tetori” ku mirëmbajtja e zhveshtoreve dhe sanitarisë mbahet me përkushtim të madh. Krejt në fund do të dëshiroja t’i bëjë apel edhe strukturave komunale e posaçërisht kryetarit të Komunës së Prishtinës si një ish volejbollist z. Shpend Ahmetit që të përkushtohen dhe angazhohen me shumë në investimet infrastrukturore sidomos në pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Kemi një rini të shëndoshë, andaj marrja me sport duhet të jetë prioritet i kombit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat