Erzeni mund Partizanin edhe në finalen e dytë, titulli një fitore larg

Volejboll

Erzeni mund Partizanin edhe në finalen e dytë, titulli një fitore larg

Më: 19 prill 2018 Në ora: 22:23
Foto nga ndeshja

Erzeni ka mundur sërish 3-2 Partizanin, këtë herë në në finalen e dytë të play off-it në volejboll për meshkuj, duke udhëhequr 2-0 me ndeshje. Edhe sfida e luajtur sot në mbrëmje në mjediset e Akademisë “Dhimtraq Goga” ishte emocionuese dhe me rivalitet, fotokopje e sfidës së parë luajtur në kryeqytet 3 ditë më parë për sa i përket mënyrës se si rrodhën ngjarjet. Partizani edhe pse u shkëput dy herë me sete, nuk arrin të bëjë diferencën në setin final, ku gabon dhe humbet një tjetër ndeshje në setin e pestë. Për shijakasit e trajnerit Arben Sako tashmë titulli kampion është shumë pranë, një fitore larg. Ndeshja e sotme u ndoq nga një numër i madh shikuesish, që kishin mbushur shkallët e Akademisë Goga për të mbështetur Erzenin, që nuk i zhgënjeu.

Seti i parë është shumë i bukur, me rivalitet dhe emocione deri në fund, ku të dyja ekipet duelojnë fort për cdo pikë dhe loja bëhet dramatike. Pas barazimit 24-24, në pikët shtesë është ekipi kryeqytetas ai që shkëputet dhe fiton 26-24, duke fituar setin e parë. I menjëhershëm reagimi i ekipit shijakas, që luan më mirë në setin e dytë dhe ka komandën e lojës në dorë. Erzeni shkëputet gradualisht dhe fiton 25-19 setin e dytë.

Loja ndërron sërish pamje në setin e tretë, që këtë herë flet për Partizanin, që rikthehet protagonist në fushë, duke patur epërsi. Të kuqtë fitojnë 25-19 setin e tretë dhe rikthehen në epërsi 2-1 me sete. Seti i katërt është mjaft i bukur, sidomos pas pikës së 16-të. Shijakasit shkëputen dhe udhëheqin deri në pushimin e dytë teknik, moment kur Partizani rikuperon e barazon 16-16, duke e bërë mjaft interesante lojën.

Disa barazime radhazi deri në 21-21, moment kur Erzeni shkëputet 23-21 dhe fiton setin e katërt 25-23, duke barazuar në 2-2 setet. Seti final nuk ka histori, është tërësisht i Erzenit, që mbështetur edhe nga fansat e shumtë shkëputet  që në pikët e para 7-1, duke e komanduar lojën në cdo moment. Erzeni fiton  15-12 setin final dhe krejt takimin 3-2 pas dy orësh e 30 minutash lojë, duke nisur festën edhe pse ende asgjë nuk është e mbyllur. Partizanit i duhet të fitojë me cdo kusht sfidën e tretë për të mbajtur gjallë shpresat për titull, ndërsa Erzenit i duhet vetëm një fitore për të fituar titullin.

Volejboll – Play off, Finalet e meshkujve

16 prill, Partizani – Erzeni, 2-3 (25-19, 22-25, 25-17, 18-25, 15-17)

19 prill, Erzeni – Partizani, 3-2 (24-26, 25-19, 19-25, 25-23, 15-12)

22 prill, Partizani – Erzeni, ora 19:00 (Feti Borova)

25 prill, Erzeni – Partizani, ora 19:00 (Akademia “Dhimitraq Goga”)

28 prill, Partizani – Erzeni, ora 19:00 (Feti Borova)

Ndeshja e katërt dhe  pestë do të luhen nëse është e nevojshme

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat