Kajtazi: Nuk është lehtë ta gjunjëzosh një kombëtare - Bota Sot
Kajtazi: Nuk është lehtë ta gjunjëzosh një kombëtare

Volejboll

E hënë, 20 gusht 2018

Kajtazi: Nuk është lehtë ta gjunjëzosh një kombëtare

Nga: Kemajl Goca Më: 19 prill 2018 Në ora: 16:24
KV Prishtina Volley

Prishtina Volley shtangu Pejën, në finalen e dytë të përfundimtares së Kampionatit të Kosovës në volejboll (meshkujt), që u zhvillua në palestrën e sportit në “Karagaç”. Skuadra nga kryeqyteti triumfoi me rezultat 3:1 dhe barazoi serinë e fitoreve (1:1). Kampioni do të përcaktohet në kryeqytet mes Prishtina Volley-t dhe Pejës.

Pejanët ishin përgatitur për festë të mërkurën mbrëma, por Prishtina me një lojë fenomenale ua prishi festën dhe la gjithçka të paqartë! Kryetrajneri i Prishtina Volley-t, Xhavit Kajtazi, shpreh bindjen, se do ta fitojnë titullin e kampionit. “Gjithçka që kemi dashur ne si staf teknik, ka qenë ndërgjegjësimi i volejbollistëve tanë të rinj e me më pak përvoje finalesh, që ta respektojmë rivalin, por mos ta mbivlerësojmë, siç na ndodhi në ndeshjen e parë finale në Prishtinë.

Djemtë u dogjën nga dëshira e flaktë për të dhënë më të mirën, por harruan se emocionet duhet kontrolluar. Pra, trupin nxehtë, por kokën ftoftë! Këtë e arritëm në Pejë dhe po qe se vazhdojmë ta kemi çdo segment nën kontroll, do të jemi shumë pranë titullit, që e meritojmë, sepse, i kemi mposhtur në pjesën e rregullt të gjithë kundërshtarët dhe ishim bindshëm në vendin e parë. Jam i bindur se në ndeshjen e tretë do të përmirësohemi edhe më shumë dhe do të shpalosim lojën që dërgon në fitore. Këta djelmosha e meritojnë titullin, sepse kanë punuar shumë. Po duam të besojmë se puna është ajo që ta bjen suksesin”, thotë Kajtazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Gjithçka e hapur, në Prishtinë vendoset titulli, a jeni në presion? “Gjithçka e hapur, natyrisht. Por ne jemi në përparësi psikologjike. Tash trysnia është bartur te Peja, me gjithë ato përforcime që ka nga Shqipëria, Maqedonia, dhe nga lojtarët e kombëtares së Kosovës. Nuk është lehtë ta gjunjëzosh një kombëtare të përbërë nga emra të shquar, me djem që sapo kanë nisur karrierën e tyre”, përgjigjet Kajtazi. Prishtina ka dëshmuar lojë jashtëzakonisht të mirë në të gjitha repartet, por kryetrajneri ka veçuar një protagonist që bëri diferencën: “Arma më e fortë ishe dhe është Adriatik Kajtazi, që tash po dëshmohet me formën e tij të jashtëzakonshme.  Kur ke një organizator të  tillë loje që i bën të ndihen mirë të gjithë bashkëlojtarët, kur ke një grup shembullor që fuksionon si  duhet, suksesi është i pashmangshëm. Janë disa emra që qysh tash kanë shpallur kandidaturën për të qenë pjesë e kombëtares së Kosovës.

Do t'i përmend së shpejti, por jo kësaj radhe”. Ku janë përparësitë e Prishtina dhe rreziku më i madh nga Peja? “Përparësitë tona janë loja e përpunuar mirë në të gjitha fazat e saj. Ne luajmë shpejt dhe vetëm shpejt. Peja, ndërkaq, ka emra me karrierë të  pasur, me përvojë të madhe që nuk e ka pasur asnjë skuadër e Superilgës. Duhet kujdes dhe syçeltësi ndaj tyre për t'i bërë më pak kërcënues dhe të rrezikshëm. Po besoj shumë se do t'i kontrollojmë veprimet e tyre në të gjitha fazat e lojës”, tha Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test