Kajtazi: Nuk duam të zgjedhim kundërshtarin në gjysmëfinale

Volejboll

Kajtazi: Nuk duam të zgjedhim kundërshtarin në gjysmëfinale

Nga: Kemajl Goca Më: 19 mars 2018 Në ora: 17:32
Xhavit Kajtazi gjatë një ndeshje

Prishtina Volley sërish merr kreun e renditjes në Kampionatin e Kosovës në volejboll (meshkujt). Humbja e Lubotenit nga Ferizaj, kampion në fuqi, me rezultat 3:1 nga Peja i shkoi në favor Prishtina Volley-t, e cila me triumfin me 3:0 ndaj Drenicës, rikthehet në krye të tabelës. Prishtina Volley pretendon ta ruajë këtë pozitë deri në fund, që i jep përparësi në luftë për titullin e kampionit në garat e përfundimtares. 

Kryetrajneri i Prishtina Volley-t, Xhavit Kajtazi, ka deklaruar se kampionati ka hyrë në fazën më të ndjeshme. Pas 12 jave Prishtina Volley kryeson me 32 pikë, e përcjellë nga Luboteni me 30 sosh, Theranda (21), Peja (19),  Vushtrria (19) etj. Ekipi nga kryeqyteti përgatitet për takimet e fundit të pjesës së rregullt të kampionatit, në udhëtim ndaj Vushtrrisë dhe si vendas e presin Therandën. Synimi është t’i fitojnë pikët e plota dhe ta ruajnë kreun e tabelës.

“Bota sot”: Prishtina Volley sërish rikthehet në kreun e tabelës, a shpresoni se do ta ruani deri në fund?

Xhavit Kajtazi: Kampionati ka hyrë në një fazë tepër të ndieshme. Ka shumë skuadra që duan ta zënë trenin e fundit për të zënë vend në kupenë që shpie deri te katërshja e përfundimtares. Ndërsa ne po vazhdojmë të luajmë qetë, pa kurrfarë trysnie, duke qenë se e kemi siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinale të përfundimtares. Humbja e befasishme e Lubotenit në Pejë, dhe fitorja jonë kundër Drenicës na riktheu aty ku e kemi vendin - në krye të renditjes. Besoj, me meritë.

“Bota sot”: A besoni se në dy takimet e fundit do t'i fitoni pikët maksimale?

Xhavit Kajtazi: Për ne është shumë e rëndësishme se edhe kundër Vushtrrisë në udhëtim, por edhe kundër Therandës në shtëpi, do të luajmë pa kalkulime. E dijmë se fitorja i duhet edhe Vushtrrisë, por edhe Therandës. Po shpresojmë në paraqitje ashtu çfarë nën ka hije, që t'i kënaqim adhuruesit e volejbollit edhe me lojë, por edhe me rezultat.

“Bota sot”: Pozita e parë për Prishtina Volley ka një përparësi të madhe në garat e përfundimtares?

Xhavit Kajtazi: Ne nuk duam të zgjedhim kundërshtarin në gjysmëfinale, pra do të luajmë pa kalkulime. Kushdo që do të jetë përballë nesh, ne do të vazhdojmë të kemi paraqitje dinjitoze. Matematikat gjithnjë i kanë sjell dëm sportit, pra edhe volejbollit.. Nuk vlejnë as pesë para për ne këto.

“Bota sot”: Në luftë për titull më shumë jeni në presion nga Luboteni apo nga Peja?

Xhavit Kajtazi: Prishtina Volley i ka arritur objektivat edhe për këtë edicion. Jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe po në gjysmëfinale të përfundimtares. Çdo rezultat tjetër pozitiv në vazhdim do t'ua shtojë vlerën vetë lojtarëve dhe do t'ia forcojë emrin edhe vetë skuadrës tonë që ka perspektivë në të ardhmen. Do të përkujdesemi që të bëjmë befasi. Këtë kemi pasur dije dhe guxim ta bëjmë dhe e kemi bërë. Pse mos të jetë kështu edhe sivjet... E vlen ta provojmë, apo jo?

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me fondin e lojtarëve, me kushtet dhe a qëndroni më mirë se në vjeshtë?

Xhavit Kajtazi: Kur ta kesh në përbërje një organizator loje të nivelit evropian, dhe tok me të edhe një grumbull të rinj të etshëm për t'u dëshmuar, s'ka si bën më mirë. Sivjet kemi pasur pak më shumë vështirësi: nga loja vepruese u ndanë kapiteni Valon Nikqi dhe veterani Bahri Gjinovci. Nga skuadra u largua drejt Tiranës Driton Bytyçi,  kështu që kemi pasur vështirësi të rikompozojmë një përbërje tërësisht të re. Fat i madh që ia dolëm, madje me sukses të plotë. Kjo ne na gëzon... Dhe, siç po e shihni, jemi në krye të renditjes, me meritë të plotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat