FSHV vendos rekord

Volejboll

FSHV vendos rekord

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 15:33
Liga Amatore në volejboll po kthehet nga viti në vit

Liga Amatore në volejboll po kthehet nga viti në vit në një edicion që përfshin gjithnjë e më shumë skuadra, duke kaluar çdo pritshmëri të mundshme. Kjo duket edhe në numrin e ekipeve të regjistruara për kampionatin e ri, plot 20 në këtë edicion të tretë, që do të nisë javën e ardhshme (më 11 dhjetor), një rekord. Një sport që po gjen një përkrahje shumë të madhe te dashamirësit e këtij sporti (14 skuadra në edicionin e parë, 16 në të dytin dhe 20 në të tretin). Të enjten në mbrëmje u hodh shorti i edicionit të ri, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha ekipet e regjistruara pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit.

“Ne jemi shumë të kënaqur nga ky interesim dhe vlerësim që ju i bëni këtij kampionati dhe pasionit që tregoni për sportin e volejbollit. FSHV gjen rastin të falënderojë të gjithë pjesëmarrësit për gadishmërinë e tyre për të marrë pjesë në këtë edicion të 3-të të Ligës Amatore, duke përhapur sportin e bukur të volejbollit kudo, falë pasionit dhe dashurisë së tyre për t’u marrë me sport”, u shpreh për të pranishmit presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, që e konsideron këtë kampionat një sukses të garantuar, duke parë këtë pjesëmarrje të madh. “Kjo pjesëmarrje tregon se kemi ditur t’i shërbejmë njëri-tjetrit, për të luajtur dhe argëtuar”, tha numri 1 i volejbollit shqiptar.

Konalsi Gjoka, koordinatori i Ligës Amatore, bëri një përmbledhje të dy edicioneve të kaluara dhe pasqyroi risitë e sezonit të ri. “20 skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga 10 ekipe secili, ku në sezonin e rregullt ekipet do të luajnë nga 18 ndeshje. Për gjithë kampionatin parashikohen 180 takime. Katër ekipet e para të çdo grupi do të kualifikohen për në fazën e play off-it, ku do të zhvillohen edhe 7 ndeshje të tjera. Por e veçanta është se këtë sezon do të thyejmë të gjitha rekordet, me 187 ndeshje në total, në një kampionat që nis në dhjetor dhe mbyllet në maj. Janë regjistruar 250 lojtarë, nga të cilat 83 janë femra (33%)”, thotë Konals Gjoka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat